Tetor 05, 2022 07:31 Europe/Tirane
  • Milaim Nela: Yuri Kim sillet si ministre e Ramës

Në A Show me Adi Krastën në Syri Tv, u diskutua edhe për deklaratat e ambasadores së SHBA në Tiranë, Yuri Kim.

Milaim Nela nga Britania e Madhe, në lidhje direkte për A Show ngriti dyshime për aktivitetin diplomatik të ambasadores në Shqipëri, por edhe për formimin e saj profesional. 

Kujtojmë që ambasadorja bëri një deklaratë të çuditshme përballë gazetarit Blendi Fevziu, kur tha se Shqipëria e ka fituar pavarësinë nga perandoria Osmane në vitin 1920 (kur realisht pavarësia është shënuar në vitin 1912). 

Nela thotë se kishte pritur që ambasadorja të reflektonte pas peticionit të shoqërisë civile ku asaj iu kërkua të largohej nga Shqipëria. 

Ai thotë se ambasadorja sillet si ministre e kabinetit të Edi Ramës.  

Milaim Nela: Që nga koha e peticionit, mendova se zonja Kim ka nxjerrë mësime dhe do të reflektonte. Kësaj radhe jam realisht i zhgënjyer jo vetëm për gjërat që flet, por edhe për nivelin profesional dhe formimin e përgjithshëm të saj. Përveç gafave dhe lapsuseve, të dalësh sot dhe të thuash që zgjedhjet e 25 prillit ishit me standarde, këtë as socialistët nuk e besojnë. Por të thuash se zgjedhjet e 25 prillit ishin me standarde, është e pafalshme për një diplomat. Para zgjedhjeve dolën të dhënat personale që iu dhanë patronazhistëve, sipas ekspertëve ky veprim i hapi rrugë hackerave. Qëkur ka ardhur në Shqipëri është sjellë si një ministre kabineti e qeverisë aktuale, duke dalë me rroba inkadeshente, me kasketa punëtorësh duke shkuar në kantiere ndërtimi. Unë s'kam parë asnjë ambasador në botë të tillë. Ça funksioni ka në administratën shtetërore shqiptare. Ajo është ambasadore e SHBA, për të mbrojtur politikat e shtetit nga e cila vjen. Nuk ka pse i bën këto gjëra. Janë shumë fyese. /syri/