Tetor 10, 2022 11:36 Europe/Tirane
  • Fokusi kryesor i politikave ekonomike , marrja e masave për zbutjen e inflacionit

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko deklaroi sot në një konferencë për mediat pas bisedimeve dy javore me FMN se fokusi kryesor i politikave ekonomike duhet të jetë marrja e masave për zbutjen e inflacionit dhe kthimin e tij në objektiv.

Ai foli për situatën në vend, teksa theksoi se inflacioni mbetet një kërcënim kryesor për stabilitetin makroekonomik dhe rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë ekonomike të vendit.

MESAZHI I PLOTË I GUVERNATORIT SEJKO:

Sikundër jeni në dijeni, gjatë dy javëve të fundit, Banka e Shqipërisë dhe autoritetet shqiptare kanë qenë të angazhuara në diskutime intensive me misionin e FMN-së, të kryera në kuadër të Artikullit IV. Këto diskutime kanë pasur në fokus të tyre si sfidat aktuale me të cilat përballet ekonomia shqiptare, ashtu edhe reformat strukturore të cilat do të mundësonin një zhvillim më të shpejtë dhe më të qëndrueshëm të vendit në planin afatgjatë.

Duke përfituar nga rasti, më lejoni – në radhë të parë – të falënderoj Misionin e FMN-së për shkëmbimin e hapur të pikëpamjeve dhe diskutimet e frytshme dhe transparente. Në tërësi, konstatoj se Banka e Shqipërisë dhe FMN-ja kanë ndarë opinione të ngjashme mbi sfidat e zhvillimit që kemi përpara.

Rritja e shpejtë e çmimeve në tregjet botërore, pas sulmit të paprovokuar ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës, i ka përballur ekonomitë dhe shoqëritë e të gjithë vendeve të globit, përfshirë dhe Shqipërinë, me sfida serioze ekonomike e sociale.

Inflacioni në vend shënoi vlerën 8% në muajin gusht, duke shfaqur një rritje të shpejtë dhe duke pasur një bazë të gjerë. Sikundër e kemi theksuar dhe më parë, në gjykimin tonë, inflacioni i lartë përbën kërcënimin kryesor mbi stabilitetin makroekonomik dhe mbi rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të vendit. Ky inflacion gërryen fuqinë blerëse të familjeve, rrit pasigurinë për të ardhmen në çdo qelizë të ekonomisë, nxit volatilitetin në tregjet financiare dhe dëmton perspektivat afatgjata të zhvillimit. Për këtë arsye, fokusi prioritar i politikave ekonomike duhet të jetë marrja e masave të koordinuara për zbutjen e kostove të inflacionit dhe kontrollin e kthimin e tij në objektiv, në një periudhë sa më të shpejtë dhe me kosto sa më të ulëta.

Bazuar në këto konsiderata, Banka e Shqipërisë është angazhuar në normalizimin gradual të politikës monetare. Ky normalizim është një proces simetrik me atë të ndërmarrë nga të gjitha ato banka qendrore, në rajon dhe në botë, të cilat po përballen me fenomenin e inflacionit të lartë. Ai nënkupton një rritje progresive të normës bazë të interesit, duke ndryshuar gradualisht natyrën e qëndrimit të politikës monetare, nga pozicioni aktual, i cili ka qenë dhe mbetet stimulues, drejt një pozicioni më neutral që ofron një mbështetje më të qëndrueshme për rritjen afatgjatë të vendit.

Gjatë bisedimeve të dy javëve të fundit, kemi konstatuar me kënaqësi se ky këndvështrim i yni ndahet edhe nga Misioni i FMN-së dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë.

Projeksionet tona për të ardhmen sugjerojnë se inflacioni do të vijojë të mbetet në nivele të larta edhe gjatë dy tremujorëve në vijim. Më tej, stabilizimi i çmimeve në tregjet e huaja dhe normalizimi i qëndrimit të politikës monetare do të induktojnë një reduktim progresiv të inflacionit, deri në kthimin e tij në objektiv në gjysmën e parë të vitit 2024.

Paralelisht me të, projeksionet tona sugjerojnë se ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet përgjatë horizontit afatmesëm. Ndonëse aktiviteti ekonomik do të vuajë pasojat negative të inflacionit, rritja ekonomike e vendit pritet të mbetet në territor pozitiv.

Rritja ekonomike do të vijojë të përfitojë nga stabiliteti i përgjithshëm ekonomik dhe financiar i vendit, nga bilancet e shëndosha të bizneseve dhe familjeve, si dhe nga vijimi i mbështetjes me kredi e instrumente pagese nga sektori bankar.

Në këtë kontekst, gjej me vend të theksoj se sektori bankar shqiptar paraqitet i shëndetshëm, likuid dhe i mirëkapitalizuar. Reformat e vazhdueshme që kemi ndërmarrë në vitet e fundit kanë dhënë frytet e veta. Konsolidimi i sektorit bankar, përmirësimi i ambientit të kredisë, zhvillimi i gjithanshëm i tregjeve financiare dhe i sistemeve të pagesave, si dhe nismat për nxitjen e përdorimit të monedhës kombëtare, kanë sjellë përmirësime të dukshme cilësore në qëndrueshmërinë dhe eficiencën e sektorit bankar. Kredia për sektorin privat ka shënuar një përmirësim progresiv të normës së rritjes, duke kulmuar në nivelin 13.7%, në muajin gusht. Gjithashtu, ajo shfaq një mbulim të mirë të nevojave të biznesit e të familjeve për financim afatgjatë apo për mjete likuide. Rritja e qëndrueshme e kredisë si dhe cilësia në rritje e portofolit të saj, janë indikatorë të rëndësishëm të mbështetjes që ky sektor ka dhënë dhe po jep në procesin e rimëkëmbjes së vendit.

Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të punojë intensivisht në drejtim të rregullimit dhe mbikëqyrjes së kujdesshme të aktivitetit bankar, të zhvillimit të tregjeve financiare dhe të sistemeve të pagesave, të promovimit të stabilitetit financiar të vendit, si dhe të rritjes së shkallës së edukimit dhe të përfshirjes financiare të publikut. Ndonëse sfidat që kemi përpara nuk mungojnë, jam i bindur se industria bankare do të vijojë të jetë një partner i besueshëm i biznesit dhe familjeve shqiptare.

Në përfundim, dëshiroj të theksoj se Banka e Shqipërisë mbështet dhe inkurajon ruajtjen e vëmendjes drejt reformave strukturore. Tashmë kjo agjendë reformash gjen një ankorë të fortë në procesin e negociatave që po zhvillojmë në kuadër të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Investimi i vazhdueshëm në reforma të cilat nxisin dhe inkurajojnë stabilitetin makroekonomik të vendit, përmirësimin e klimës së biznesit, rritjen e eficiencës dhe të konkurrueshmërisë, përmirësimin e kapaciteteve njerëzore dhe institucionale, si dhe zhvillimin e gjithanshëm të infrastrukturës, është rruga e vetme drejt një progresi më të shpejtë ekonomik dhe social.

/gazetashqiptare/