“Mbledhjet më të rëndësishme ishin ceremonitë e varrimit”
Kryeministri Edi Rama mori pjesë këtë të hënë në ceremoninë e mbajtur në sallën e parlamentit për 50 vjetorin e krijimit të Akademisë së Shkencave.
Gjatë fjalës së tij kryeministri vlerësoi akademinë gjatë kohës së komunizmit duke thënë se ishte një institucion që qëndronte i mënjanuar nga ndikimi politik dhe shoqëror i vendit.
Ai shtoi se u desh një akademik i asaj kohe si Skënder Gjinushi, i cili do të bënte reformimin e institucionit dhe do të mbillte filizat për akademinë e së ardhmes.
“Fal reformës së vitit 2019 e cila u realizua nën një ndërveprim të udhëhequr nga Akademia e Shkencave dhe përsëri edhe kjo u realizua në lidershipin e Skënder Gjinushit, imagjinojeni sa domethënëse është kjo. Përsëri duhet dikush i asaj kohe akademike që të garantoj këtë kohë kaotike me shpresën që do të kemi dhe ne kohën tonë akademike. Sot akademia nga një vend i pashpresë përshpirtjesh, ku mbledhjet më të rëndësishme ishin ato që i jepnin lamtumirën ndonjërit që ikte në botën tjetër është kthyer në një hapësirë që po mbillen fidanët e të nesërmes”, tha Rama.
Gjithashtu ai shtoi:
“Akademia edhe në atë kohë aq të zymtë në aspektin e lirisë qëndronte mënjanë nga ndikimi politiko shoqëror i vendit. Një ndër episode që do të doja të rikujtoja është fjalimi i lamtumirës së Aleks Budës në varrimin e Selman Rizës. Thuhet se ky akt i Aleks Budës si dhe prania në varrimin e gjuhëtarit bëri bujë qoftë në institute qoftë në mjedisin politik. Por qëndrimi i profesor Budës ishte një sfidë ndaj regjimit por një shprehje e mënjanësisë së akademisë në nderim të dijes dhe rrugës së shkencës. Një nderim për një punë kolosale siç ishte puna e Selman Rizës kushtuar kombit. Para 90-ta ishte koha kur liria ishte e kufizuar dhe mundësitë e njerëzve të shkencës ishin tepër të ngushta. Por krahasimi para dhe pas 90-ës e bën pas 90-ën të ndihet jo mirë përpara atyre veprave dhe figurave. Në këndvështrimin tim tu them të drejtën kur vizitoja Akademinë e Shkencave pas 90-ës dhe dëgjoja ato kërcëllitjet e parketit të vjetër më duket sikur ishte Eqerem Çabej që përdridhej në varr. Një tregues për gjendjen e atij institucioni.”