Tetor 13, 2022 08:47 Europe/Tirane
  • Aplikimet për subvencionet e grurit mbulojnë deri tani 40% të mbjellave

Nga mesi i muajit tetor deri më 15 nëntor nis sezoni i mbjelljes së grurit. Për shkak të krizës botërore të mungesës së grurit që filloi pas nisjes së luftës Rusi-Ukrainë, qeveria vendosi që këtë vit të mbështesë me subvencione direkte në vlerën e 30,000 lekëve fermerët që kultivojnë jo më pak se 1 ha grurë.

Skema synon rritjen e të mbjellave me grurë, por edhe për të lehtësuar kostot e fermerëve nga shtrenjtimi i çmimeve të inputeve bujqësore.

Deri tani sipas të dhënave të AZHBR për “Monitor” kanë aplikuar 7,400 fermerë. Nga Ministria e Bujqësisë u saktësua gjithashtu se ky numër aplikimesh është për 40% të sipërfaqes së tokës bujqësore që mbillet me grurë (konkretisht për 20,000 ha). Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë sipërfaqja e kultivuar me grurë në vendin tonë për vitin 2021 ishte 54,514 ha me një prodhim prej 225,171 ton.

Numri aktual i aplikimeve sipas Ministrisë së Bujqësisë tregon se interesi është i lartë, pasi edhe skema krijon avantazh. Nuk përfiton kush aplikon i pari, por ai që mbjell sipërfaqe të lartë (jo më pak se 1 ha) pasi aplikon dhe dorëzon dokumentacionin për blerjen e farën dhe inputeve bujqësore, ndihma financiare prej 30,000 lekë do t’i disbursohet brenda 31 dhjetorit 2022.

Aplikimet për subvencion nisën më 1 shtator dhe do të vazhdojnë deri më 23 shtator. Pavarësisht se skema konsiderohet avantazhuese për shkak së eliminimit të burokracive të aplikimit dhe masës së përfitimit financiar për të mbuluar shpenzimet e farës dhe inputeve bujqësore, jashtë saj kanë mbetur fermerët e vegjël që kultivojnë sipërfaqe grurë nën 1 ha, të cilët po vuajnë kostot e larta nga inputet bujqësore dhe çmimi i naftës.

Kastriot Silo nga fshati Potgozhan i Mokrës së Sipërme për herë të parë pas 5 vitesh i rikthehet kultivimit të grurit. Arsyeja është shtrenjtimi i çmimit të miellit. Ai ka nisur mbjelljen e 5 dynym grurëve dhe shpenzimet për farën dhe inputet bujqësore janë në vlerën e 20,000 lekëve. Kastrioti shpjegoi për Monitor se nuk mundi të shtonte sipërfaqen e të mbjellave me grurë, çka do t’i jepte mundësitë e përfitimit të subvencionit, pasi nuk arrin të përballojë koston e lëvrimit të tokës me traktor, ndërsa aktualisht zonat rurale po vuajnë mungesën e fuqisë punëtore./gazetashqiptare/