‘Lufta’ e monedhave, euro vijon të fundoset përballë dollarit
Monedha euro ka humbur 5 pikë, ndërsa dollari është forcuar me 10.5 pikë kundrejt lekut në 10 muajt e fundit.
Lufta Rusi-Ukrainë ka sjellë luhatje të forta në monedhën europiane, të cilat kanë goditur, por edhe kanë sjellë përfitime në tregun shqiptar. Nga fundi i muajit shkurt, kohë kur nisi lufta Rusi-Ukrainë, monedha euro është zhvlerësuar si asnjëherë më parë që nga vitit 2002, kur u hodh në qarkullim. Ndërkohë, dollari amerikan ka ecur në një trajektore rritëse, fillimisht duke u barazuar me euron e më pas duke e tejkaluar. Në shkëmbim, euro ka humbur 5 pikë kundrejt lekut përgjatë 10 muajve, ndërsa dollari është rritur me 10.5 pikë. Rritja e çmimit të energjisë elektrike, mbyllja e rubineteve ruse të gazit dhe ulja e prodhimit të naftës nga OPEC, ka demoralizuar ekonomitë më të mëdha në Eurozonë. Kjo goditje ka qenë më pak dekurajuese në tregun amerikan. Lëkundjet e kursit, janë shoqëruar nga inflacioni i lartë, dhe në tërësi kanë goditur qytetarët shqiptarë. Të paktën, efekti negativ është ndjerë tek familjet që jetojnë me paratë e të afërmve emigrantë. Po ashtu, rënia e monedhës europiane ka ulur me më shumë se 3% pasurinë e shqiptarëve në banka me depozita në euro. Nga ana tjetër, zhvlerësimi është në favor të importit mallrave dhe të qeverisë, për pagesën e borxhit publik.