Tetor 23, 2022 08:41 Europe/Tirane
  • Berisha e Alibeaj mbledhin veçmas kryetarët e degëve

Pasditja e së premtes ishte një ditë e rëndësishme për përpjekjet që Partia Demokratike po bën në javët e fundit për t’u bashkuar. Pothuajse në të njëjtën kohë, dy grupime demokratësh u mblodhën për të diskutuar rreth mundësive që Partia Demokratike të dalë me kandidatë të përbashkët në zgjedhjet e ardhshme lokale.

Sali Berisha ishte me kryetarët e degëve të partisë të zgjedhur gjatë këtij viti me primare, nga ku foli për riorganizimin në terren. Takim me kryetarë degësh ishte edhe Enkelejd Alibeaj, por me drejtues që kanë mbajtur këto pozicione edhe përpara përplasjes brenda Partisë Demokratike. Nga takimi në selinë blu, në fjalën për mediat Berisha foli për ecurinë e bisedimeve për të dalë me kandidat të përbashkët, por edhe për protestën e ardhshme. Ndërkohë gjatë mbledhjes, burime bëjnë me dije se kryedemokrati ka lënë një porosi të veçantë për kryetarët e degëve, që të hidhet pas krahëve 8 janari dhe gjithë përplasja brenda PD dhe fokusi tashmë të jetë vetëm te gjetja e kandidatëve fitues për bashkitë. Edhe në takimin tjetër të Alibeajt të organizuar në Durrës tema kryesore e bisedës ishte bashkimi për zgjedhjet e ardhshme lokale. Mësohet se pjesëmarrësit në këtë takim, pasi kanë dëgjuar nga Gazment Bardhi për atë se çfarë ai kishte diskutuar me Edi Palokën dhe kanë rënë dakord që të vijohet negocimi për gjetjen e kandidatëve të përbashkët. Me këtë frymë bashkimi dhe afrimi mes palëve, e vetmja pikë që palët i mban janë primaret. Këto të fundit janë vendosur nga grupimi i Berishës si mënyra për të zgjedhur kandidatët, ndërsa pala tjetër nuk i pranon ato. Gjatë javës së ardhshme pritet të ketë sërish takime mes Palokës dhe Bardhit për të arritur një marrëveshje bashkimi për zgjedhjet e ardhshme lokale./ParsToday