Rritje eksponenciale e shqiptarëve që kalojnë Kanalin Anglez
Numri i shqiptarëve që po kalojnë Kanalin Anglez ka njohur një rritje eksponenciale. Kështu u tha në një seancë të parlamentit anglez.
Sipas Sky, Komisioni i Çështjeve të Brendshme dëgjoi se si rreth 2 përqind e popullsisë meshkuj të Shqipërisë ka mbërritur me varka të vogla vetëm këtë vit.
Në total thuhet se janë 12 mijë shqiptarë që kanë kaluar Kanalin Anglez me gomone vetëm këtë vit.
Rreth 93 përqind e personave të mbërritur sivjet kanë aplikuar për azil, por numri i dosjeve ka mbërritur në 100 mijë. Nga shqyrtimi i katër përqind të dosjeve, rreth 85 përqind kanë fituar statusin e refugjatit apo ndonjë status tjetër të mbrojtur.
Mbretëria e Bashkuar ka caktuar një koordinator special për të luftuar flukset në rritje të emigrantëve që arrijnë në brigjet e saj nëpërmjet gomoneve.
‘The Telegraph’ raporton se detyra i është besuar gjeneralit Stuart Skeates, i cili ka shërbyer në konfliktet në Bosnje-Hercegovine dhe Afganistan.
Që prej fillimit të vitit më shumë se 37 mijë emigrantë kanë arritur tokën britanike dhe sipas disa publikimeve mediatike, 60% e totalit thuhet se janë shtetas të Shqipërisë./Syri