Përshtati lokalin për lojëra fati, arrestohet 31-vjeçari në Kurbin
Një 31-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë së Kurbinit pasi kishte përshtatur lokalin e tij për lojëra fati
Mësohet se në pranga ka rënë i riu me inicialet B.M., ndërsa janë sekuestruar 1 tavolinë pokeri, fisha, letra bixhozi dhe një shumë parash që dyshohet se është përfituar nga ky aktivitet i paligjshëm.
Njoftimi i Policisë
Kishte përshtatur lokalin, për organizimin e lojërave të fatit, vihet në pranga 31-vjeçari. Sekuestrohen tavolinë pokeri, fisha dhe letra bixhozi.
Në vijim të kontrolleve intensive dhe të pandërprera, të ushtruara në lokale dhe ambiente të tjera, me qëllim evidentimin dhe goditjen e rasteve të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, mbështetur dhe nga inteligjenca informative, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin si dhe në mbështetje nga FNSH Shkodër, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Game over 2”, si rezultat i të cilit u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi:
B. M., 31 vjeç, banues në Kurbin, për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe "Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara".
Ky shtetas kishte përshtatur lokalin e tij, në Sanxhak, për organizimin e lotarive të palejuara. Në momentin e ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë, në ambientet e lokalit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 1 tavolinë pokeri, fisha, letra bixhozi dhe një shumë parash që dyshohet se është përfituar nga ky aktivitet i paligjshëm.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, për veprime të mëtejshme./Syri