Nëntor 22, 2022 09:34 Europe/Tirane
  • ‘KESH përmbyti Shkodër e Lezhë’

Për Eno Bozdon, ish-zëvendësministër i Energjitikës, përmbytjet në veri të vendit kanë qenë totalisht të shmangshme. Në një intervistë për Rtv Ora, ai tha se KESH përmes softuerit që monitoron kohën ka pasur të gjithë mundësinë për të përcaktuar sasinë e reshjeve dhe ditën e reshjeve.

Bozdo: Përmbytje Shkodra ka njohur gjithmonë dhe në kohën e Zogut, dhe në kohën e regjimit komunist. Janë disa përmbytje që janë të pashmangshme por janë dhe disa përmbytje të tjera që janë plotësisht të shmangshme. Këto ishin të shmangshme sepse KESH i ka të gjitha mundësitë nëpërmjet softuerit që monitoron kohën për të përcaktuar sasinë e reshjeve dhe ditën e reshjeve.

Edhe pse drejtori i KESH-it, Ergys Verdho e mohoi një gjë të tillë, duke deklaruar se parashikimet nuk flisnin për reshje të dendura, Bozdo përshkruan të gjithë sjelljen e KESH që nga 13 nëntori e deri te përmbytjet, që sipas tij, provojnë të kundërtën.

Bozdo: Nuk pres që drejtori i KESH dhe as kryeministri të pohojnë një gjë të tillë se po e pohuan duhet të japin arsyet e disa veprimeve.Softueri që ka KESH arrin të përcaktojë me precizion shumë të lartë deri në 10 ditë përpara. Që në datë 13 kur KESH vendosi të blejë energji, dihej që nga data 19 deri në 23 do të kishte reshje të shumta në veri të Shqipërisë dhe zonën gjeografike që përmban kaskada e Drinit. Jo vetëm kohëzgjatja, por edhe intensiteti i reshjeve arrihet të përcaktohet me saktësi shumë të kënaqshme.

KESH në vend të marrë masa për zbrazur pjesën e poshtme të kaskadës, për të prodhuar me sa do të kishte mundësi në Koman dhe Vau Dejës, e mban rezervën e pandryshuar, del në treg, blen 10 mln euro energji dhe të premten kur kuptojnë se çfarë ishte duke ndodhur tentojnë që të shesin energji, arrijnë të shesin shumë pak, 600 mijë euro dhe nuk arrijnë dot ta depozitojnë askund. Të shtunën dhe të dielën ndodhi ajo që ndodhi dhe morën vendimin për të zbrazur ujë dhe praktikisht Komani ka punuar vetëm me 1/4 e kapacitetit.

Janë zbrazur nga Komani më shumë se 2100 metër kub/sekondë, Vau i Dejës më shumë se 3000 metër kub/sekondë. U zbraz gjithë rezerva energjitike, atë që Zoti na e fali me kaq bujari pas muajve të tërë ankesash se nuk kemi rezervë energjitike, dhe ne arritëm ta shpërdorojmë. Kemi shpenzuar para për të blerë energji shtrenjtë, tentuam ta depozitojmë në Kosovë por mesa duket për shkak të marrëdhënieve jo fort të mira mes dy korporatave Kosova nuk e pranoi.

E ka bërë disa herë këtë punë dhe nuk mundej dot ti përgjigjej kërkesës së radhës. Dhe çfarë bëjmë? Derdhim ujin. Kemi derdhur ndoshta 3-4 mln euro ujë të kthyer në energji dhe kemi përmbytur Lezhën, Nën-Shkodrën dhe një pjesë të mirë të Shkodrës.Ky nuk është keqmenaxhim por një makutëri e tmerrshme për tenderuar dhe blerë energji dhe kur nuk ke nevojë.