Do jem njeriu që njeh hallet tuaja dhe do përpiqet t’i zgjidhë
Sabah Sheta është kandidati që do të hyjë në zgjedhjet e 14 majit nën siglën e PD për bashkinë e Krujës. Me anë të një postimi në Facebook, bën me dije se pranoi të kandidojë pas kërkesave të vazhdueshme të qytetarëve.
Sheta shkruan se do jetë njeriu që njeh hallet e qytetarëve dhe do të përpiqet që t’i zgjidhë. Ndër të tjera e cilëson privilegj kandidimin dhe thotë se është i motivuar që të ndryshojë jetën e qytetarëve pasi bashkia nuk i shërben prej kohësh.
“Të nderuar bashkëqytetarë krutanë kudo që ndodheni. Askush më mirë se ju nuk e di se sa e vështirë është bërë jetesa dhe se si sot bashkia nuk i shërben qytetarëve dhe interesave të tyre. Unë jam çdo ditë me ju, duke përcjellë shqetësimet tuaja, hallet e përditshme. E di se mezi prisni që të vijë dita për ta ndryshuar situatën ku ndodheni e me votën tuaj të zgjidhni njeriun, që i njeh hallet tuaja dhe që do të përpiqet t’i zgjidhë ato.
Duke marrë në konsideratë kërkesën tuaj të vazhdueshme, të cilën e dëgjoj kudo ku takohemi në mënyrë të përsëritur, duke vërejtur me keqardhje mungesën e sherbimeve dhe diskriminimin tuaj te regjimit të Edi Ramës, kam pranuar të kandidoj për Kryetar të Bashkisë së Krujës.E marr këtë vendim me përgjegjësi dhe i motivuar nga detyrimi për t’ju shërbyer ju dhe për të bërë gjithçka për një jetë më të mirë për bashkëqytetarët e mi.
Për mua është nder dhe privilegj të jem kandidat i Partisë Demokratike të Shqipërisë, partisë që rrëzoi muret e izolimit nga bota perëndimore, partisë që lindi si shpresë e shqiptarëve, dhe unë do të bëj gjithçka që më përket mua që kjo parti të vazhdojë të jetë parti e vlerave dhe shpresave të shqiptarëve, aleate e vendeve demokratike, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Europian dhe Britanisë së Madhe.
Le ta nisim së bashku këtë betejë për Krujën, krutanët, për të rinjtë dhe të rejat e bashkisë tonë. Bashkë ne mund të bëjmë ndryshimin për Krujën! Me shumë respekt dhe mirënjohje”, shkroi Sheta.
Sheta është kandidati i 6 që zbulohet nga PD për garën elektorale të 14 majit, duke iu shtuar kështu kandidatëve të publikuar më parë për 5 bashki të tjera të vendit.
Para tij, janë zbuluar emrat e Bilbil Barjaktari për bashkinë Kamëz, Agron Kapllanaj, i cili e ka publikuar vetë kandidaturën e tij për Mallakastrën. Bankieri Ilir Koxhaj për Kuçovën, Naim Gazidede për Dibrën dhe Sandër Marku për bashkinë e Lezhës. Ndërsa për bashkinë e Kurbinit përflitet si kandidat Genc/shqiptarja/