Dhjetor 12, 2022 10:12 Europe/Tirane
  • Grupet kriminale pastrojnë para në kulla e hotele luksoze në Shqipëri

Këto ditë në Uashington u mbaj konferenca e 20-të Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, organizuar nga qeveria amerikane dhe ‘Transparency International’. Takimi mblodhi së bashku mbi 2 mijë përfaqësues nga shoqëria civile, organizatat ndërkombëtare, komuniteti i biznesit, e përfaqësues të qeverive anembanë globit.

Drejtuesja e zyrës për Evropën Juglindore, e Nismës Globale kundër Krimit të Organizuar, Fatjona Mejdini, tha se mesazhi kryesor i takimit ishte se Uashingtoni i qëndron angazhimeve të tij në luftën kundër korrupsionit. Gjatë intervistës me Zërin e Amerikës, Mejdini tha se grupet kriminale pastrojnë para në kulla e hotele luksoze në Shqipëri.

Duhet të kuptojmë që ashtu si me korrupsionin, Shqipëria ka një histori të gjatë me krimin e organizuar. Fakti që Shqipëria shpesh ka prodhuar shpesh grupe kriminale të forta, ka qënë për shkak të kësaj simbioze që korrupsioni ka zhvilluar me krimin e organizuar. Zyrtarë të korruptuar merrnin para nga persona të inkriminuar dhe nga ana tjetër, të inkriminuarit ofronin mbështetje për ta në fushata elektorale. Kjo ka qenë një histori e njohur shqiptare.

Ajo që ne po shikojmë në këto momente është fuqizimi i krimit të organizuar jashtë kësaj skeme, në një skemë më të madhe ndërkombëtare. Ju e përmendët, kemi Amerikën Latine ku shqiptarët janë prezent, kemi qytetet më të mëdha evropiane ku ata gjithashtu janë të pranishëm. Por kemi edhe destinacione si Emiratet e Bashkuara Arabe ku këto grupe janë gjithashtu prezent. Është shumë interesante në fakt se çfarë do të bëhet për këtë çështje.

Unë mendoj që, sot çfarë i lidh këto grupe kriminale me Shqipërinë është ana ekonomike, pastrimi i parave, kullat e larta që ndërtohen në Tiranë apo hotelet luksoze në bregdet. Mendoj se qeveria shqiptare, institucionet duhet të jenë të kujdesshme, sepse këto para të pista në fakt nuk e zhvillojnë vendin, por e deformojnë komplet tregun dhe zhvillojnë një konkurrencë të pandershme," tha Mejdini./syri/