Kontrata 'piramidë' për shitjen e apartamenteve në Durrës
Pas dhënies të statusit të investitorit strategjik zhvillimit të projektit Durrës Yachts & Marina, ku shteti dhuron truallin dhe përjashton nga taksat kompaninë zhvilluese, “Monitor” zbardh edhe kontratën për prenotimin e blerjeve të apartamenteve.
Nga “Marrëveshja për prenotim interesi” rezulton që investitori kërkon që të mbledhë me urgjencë paratë, teksa 20% e vlerës së apartamentit duhet të paguhet 5 ditëve nga nënshkrimi i marrëveshjes paraprake të shitjes dhe 20% deri në 3-6 muaj nga data e lejes së ndërtimit.Pjesa tjetër prej 60% paguhet gradualisht nga ndërtimi i strukturës deri në përfundimin e objektit. Ndërkohë nuk jepet garancia se në përfundim do të blesh pronën sipas vend ndodhjes së prenotuar.
Më 8 dhjetor kompania “Eagle Hills Real Estate Development” hapi shitjet e apartamenteve nëpërmjet kontratave të prenotimit që iu shpërndanë të interesuarve.
Kompania njoftoi se apartamentet do të jenë me një deri në tre dhoma dhe do të fillojnë nga 110 mijë euro, “Marrëveshja për prenotimin e interesit” që përbehet prej 5 nenesh përcakton se nuk do të interpretohet si një marrëveshje paraprake shitblerjeje, por ekskluzivisht si një shprehje e interesit për të hyrë në listën e ngushtë të palëve të interesuara, që do të jenë të parët të ftuar për të pasur të drejtën për të nënshkruar marrëveshjen paraprake të shitjes.
Fillimisht marrëveshja parashikon që duhet të paguhet tarifa që paguhet për prenotimin e blerjes së apartamentit, që kushton 1,200 euro, ndërsa për garazhin tarifa është 500 euro. Kontrata përcakton në pikën 4.3 të saj se kjo tarifë duhet të paguhet 24 orë nga nënshkrimi i marrëveshjes dhe 2 orë pas hapjes së shitjeve.
Vetëm pasi paguhet tarifa e prenotimit dhe të kryhen pagesat për vlerën e buxhetit të akorduar për blerjen e apartamentit nëpërmjet mënyrës të parashikuar në kontratë të ndarë në 7 këste nëpërmjet blerësit dhe kompanisë zhvilluese do të nënshkruhet kontrata paraprake e shitjes.
Skema e pagesës së çmimit përfshin 40% të vlerës të ndarë në 3 këste që do të paguhet para marrjes së lejes së ndërtimit, si:
-20% e çmimit të blerjes të paguhet brenda 5 ditëve nga nënshkrimi i Marrëveshjes Paraprake të Shitjes;
-10% e çmimit të blerjes të paguhet jo më vonë se 3 (tre) muaj nga data e lejes së ndërtimit dhe
– 10% e çmimit të blerjes të paguhet jo më vonë se 6 muaj nga data e lejes së ndërtimit.
Pjesa tjetër prej 60% e vlerës së apartamentit do të paguhet, sipas skemës konkretisht:
-15% e vlerës para ose pas përfundimit të strukturës;
-20% të çmimit do të paguhet para ose pas vendosjes së xhamave;
-20% e çmimit të paguhet brenda 5 ditëve nga data e nënshkrimit të kontratës së shitjeve për transferimin e titullit të pronësisë së pronës;
– 5% e çmimit të blerjes të paguhet brenda 5 ditëve nga data e nënshkrimit të kontratës së shitjes për transferimin e titullit të pronësisë së pronës.
Ndërtues në Tiranë pohuan se nëse një blerës pronoton një apartament në një subjekt që nuk ka filluar të ndërtohet e bën me synimin për të zgjedhur vendndodhjen dhe çmimin preferencial, por kjo praktikë nuk ekziston për projektin e ndërtimit të apartamenteve në Durrës mbështetur te pika 2.2 e marrëveshjes së prenotimit të interesit. “Planimetria e kateve dhe/ose planimetria e pronave referuar në këtë marrëveshje janë vetëm për qëllime indikative dhe ilustruese, pasi këto planimetri nuk janë përfundimtare dhe janë subjekt i ndryshimeve”, citohet në kontratë.
Në kontratë thuhet se brenda 30 ditëve nga ftesa e investitorit strategjik, pala e Interesuar duhet të lidhë marrëveshjen paraprake të shitjes e cila do të jetë në thelb në formatin e bashkëlidhur kësaj Marrëveshjeje për Prenotimin e Interesit.
Në bazë të dokumentit në rast se pala e Interesuar nuk arrin të nënshkruajë marrëveshjen paraprake të shitjes brenda periudhës kohore të Marrëveshje për Prenotim Interesi specifikuar në nenin e mëparshëm, ose nuk paguan sipas afateve vlerën e buxhetit dakorduar në përputhje me Marrëveshjen Paraprake Shitjes, atëherë kjo marrëveshje për prenotimin e interesit do të konsiderohet e zgjidhur me efekt të menjëhershëm, të drejtat e palës së interesuar sipas kësaj marrëveshje pushojnë së ekzistuari dhe investitori strategjik do të ketë të drejtë të mbajë tarifën e prenotimit./syri/