Dhjetor 21, 2022 08:44 Europe/Tirane
  • Rënie tjetër rekord e euros, bie në 114.35 lekë

Kursi i këmbimit të Euros me Lekun pësoi sërish rënie ditën e martë, duke prekur një rekord të ri historik.

Sipas të kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye me 114.35 lekë, në rënie ditore me 0.17 pikë. Agjentët e këmbimit valutor shprehen se rënia e Euros i detyrohet kryesisht një oferte mjaft të lartë valutore në tregun vendas.Këtë vit, oferta valutore ka qenë në përgjithësi e lartë dhe kursi i këmbimit të Euros ka thyer rekord pas rekordi në rënie. Në gjysmën e dytë të të dhjetorit, kjo ofertë ndikohet edhe nga efekti i sezonalitetit.

Festat e fundvitit shoqërohen me rritje të turizmit hyrës, por edhe kthim të emigrantëve pranë familjeve. Kjo përkthehet në një rritje të flukseve hyrëse të Euros në vend, duke e ulur edhe më shumë kursin e këmbimit të monedhës europiane.

Rritja e ofertës së Euros ndërkohë është ndikuar edhe faktorë të tjerë, të përkohshëm. Këtë muaj njëra nga bankat tregtare në vend ka konvertuar një pjesë të kapitalit të saj aksioner nga Euro në Lekë, faktor që ka ndikuar në zhvlerësimin e mëtejshëm të monedhës europiane.

Një ndikim të konsiderueshëm në ecurinë e kursit të Euros kanë pasur edhe faktorët e kërkesës. Falë gjendjes së përmirësuar hidrike, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) ka reduktuar ndjeshëm importet e energjisë elektrike, madje në javët e fundit ka eksportuar energji në vlera të mëdha.

Rënia e kërkesës nga KESH ka qenë një faktor i rëndësishëm në ekuilibrat e kursit, po të kemi parasysh se gjatë vitit 2022 kjo kompani vlerësohet të ketë importuar energji për rreth 30 milionë euro në muaj.

Rënia historike e Euros në kursin e këmbimit me Lekun është e vështirë për t’u shpjeguar nga statistikat e Bilancit të pagesave. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se këtë vit deficiti i llogarisë korrente është në nivele të ngjashme me vitin 2021.

Por, investimet e huaja direkte paraqiten në rritje. Agjentët e tregut mendojnë se sidomos veçanti rritja e investimeve të shtetasve të huaj dhe shqiptarëve jorezidentë në prona në Shqipëri mund të ketë luajtur gjithashtu një rol të rëndësishëm në shtimin e prurjeve valutore dhe rritjen e ofertës së euros në treg.

Nga ana tjetër, agjentët e tregut ngelen të bindur se prurjet informale të valutës kanë një rol të rëndësishëm në ecurinë e kursit të këmbimit.

Në një situatë inflacioniste, forcimi i Lekut ndaj Euros është i favorshëm për shumicën e aktorëve treg. Leku i fortë amortizon një pjesë të inflacionit të importuar dhe zbut efektet e rritjes së çmimeve për konsumatorët dhe mbështet përpjekjet e Bankës së Shqipërisë për të ulur inflacionin, nëpërmjet rritjes së normave të interesit.

Forcimi i Lekut po ndihmon edhe huamarrësit me kredi në monedhën europiane, por me të ardhura në monedhën vendase, për të zbutur pjesërisht efektet e rritjes së normave të huave me interes të ndryshueshëm.

Nga ana tjetër, humbje nga mbiçmimi Lekut kanë ata aktorë ekonomikë që kanë të ardhura në valutë dhe shpenzime në lekë, si eksportuesit e mallrave dhe shërbimeve apo përfituesit e remitancave./syri/