Zhvati dhjetëra mijëra euro nga biznesmenë të ndryshëm
Drejtoresha e Mjedisit në Bashkinë e Tiranës, ka përfunduar në prangat e Policisë me vendim të Gjykatës së Korçës.
Viola Sterjo u arrestua nën akuzën e mashtrimit me pasoja të rënda, pasi kishte zhvatur nga 20 mijë deri në 90 mijë euro ryshfet nga subjekte të ndryshme në zonën e Korçës kundrejt premtimeve se do të ndërhynte pranë Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, në mënyrë që këto subjekte të fitonin grande. “Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar në DVP Korçë, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit të Kërkimit në DVP Tiranë, bënë ekzekutimin e urdhrit të Prokurorisë për ndalimin e shtetases V. S., 39 vjeçe, banuese në Tiranë.Ndalimi i saj u bë pasi, Gjykata e Shkallës së Parë Korçë, me vendimin e datës 26.12.2022, ka caktuar për këtë shtetase masën e sigurisë ‘Arrest në burg’, për veprën penale ‘Mashtrimi’, me pasoja të rënda. Nga hetimet e kryera rezulton se në periudhën mars-nëntor 2020, nëpërmjet mashtrimit, V. S., dyshohet se ka përfituar në qytetin e Korçës, një shumë të konsiderueshme monetare, me qëllim ndikimin e saj në institucione shtetërore, që qytetarë të ndryshëm të përfitonin fonde monetare nga shteti”, sqaron Policia./syri/