ensione në sallën e gjyqit/ Viktor Ymeri përplaset me Luftar Reçin
Luftar Reçi, një nga bashkëpunëtorët më të rëndësishëm të SPAK, në çështjen e vrasjes së tre personave në Tiranë dhe Durrës, është shfaqur sot për herë të parë, para tre gjyqtarëve të posaçëm dhe 6 të pandehurve “VIP”.
Me një këmishë të bardhë dhe aspak i emocionuar nga ish-shokët e tij që ndodheshin në kafazin e gjykatës, i penduari Luftar Reçi, ka qëndruar për disa minuta i rrethuar me forca të shumta policie, të cilët kishin krijuar një zinxhir sigurie.Njeriu që prej dy vitesh po bashkëpunon me SPAK, duke sjellë zbardhjen e vrasjes së Vajdin Lamaj, Artan Arsit dhe Klodian Saliut, ishte planifikuar të dëgjohej në seancën e sotme mbi atë çfarë dinte, për këto tre vrasje të kryera në muajin shkurt 2005 në Tiranë dhe Durrës.
Por mungesa e avokatit Simoni, që përfaqëson interesat ligjore të Luftar Reçit, solli shtyrjen e seancës gjyqësore.
Në procesin gjyqësor, mungonte dhe prokurori i çështjes, njëherësh dhe drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, i cili zëvendësohej nga prokurorja tjetër, Elida Celami.
Kjo e fundit i kërkoi gjykatës shtyrjen e seancës për shkak të mungesës së avokatit mbrojtës të Luftar Reçit.
Nga ana tjetër Detar Hysi, avokati i të pandehurit Lulzim Berisha dhe Indrit Rusit, i kërkoi gjyqtareve Etleva Deda, Flora Haredinaj dhe Irena Gjoka, që të largonin forcat e policisë, pasi në sallën e gjykimin askush nuk mund t'i bënte keq, bashkëpunëtorit të Prokurorisë.
Për më tepër, avokati Hysi shtoi se gjykimi duhet të jetë transparent dhe avokatët, por edhe të pandehurit të kenë të drejtën e shikimit vizual të dëshmitarit të prokurorisë. Kjo pasi sipas avokatit mbajtja fshehur në cep të sallës e dëshmitarit, ul besueshmërinë pasi nuk dihet se kush është ky person dhe cilin individ flet realisht.
Por kërkesa e avokatit Hysi, nuk është pranuar nga gjykata. Pas kësaj situate, në këmbë është ngritur i pandehuri Viktor Imeri, alias “Tori i Xhihanes”. Ky i fundit ka filluar të fyejë me fjalë të rënda bashkëpuntorin e SPAK, Luftar Reçi, por gjykata ndërpreu seancën duke vendosur ta shtyjë atë në muajin janar 2023.
Të 7 të pandehurit, Indrit Taullai, Emiljano Shullazi, Viktor Imeraj, Lulzim Berisha, Plaurent Dervishaj, Luftar Reçi dhe Indrit Rusi, po përballen me akuzat e rënda të “Vrasjes në rrethana cilësuese”, “Vrasje me dashje”, “Vrasje me Paramendim” të kryer në formën e “Grupit të strukturuar kriminal” dhe “Falsifikimit të dokumenteve”,në dëm të Vajdin Lamaj, Artan Arsi dhe Klodian Saliu./syri/