Janar 09, 2023 08:27 Europe/Tirane
  • Radhë dhe fluks i madh emigrantësh në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës

Një fluks i madh emigrantësh që largohen nga Shqipëria pas festave ka krijuar radhë të gjata në pikën kufitare të Kapshticësh në Korçë. Gazetarja e SYRI TV, Sidorela Xhomaqi, tha sot se situata ishte shumë e rënduar ditën e diel, kur pala greke punonte vetëm me 3 sportele dhe kontrollonte me imtësi dokumentet e qytetarëve shqiptarë.

“Fluksi i ditëve të fundit në Kapshticë, - tha Xhomaqi në emisionin e mëngjesit "Kafe Shqeto", - arriti kulmin ditën e djeshme me radhën kilometrike të automjeteve 5 deri në 6 km, që fillonte nga fshati Kapshticë dhe përfundone në doganë.

Nga emigratët pati irritime për shkak të vonesave me orë dhe u duk se faji ishte i autoriteteve tona.

Nga komunikimi me pikën kufitare të Kapshticës mësuam se në fakt po punohej me 5 sportele, kurse në anën greke ishin vetëm 3 sportele dhe atje dokumentet shiheshin me intemsi duke shkaktuar vonesa.

Emigrantët ishin irrituar sepse  sa herë ka festa apo në pushime verore, duhet të presin me orë për të kaluar kufirin.

Nga ana tjetër, në pikën e kalimit kufitar në Qafë Thanë nuk ka pasur asnjë lloj problemi.

Problemi ka qenë vetëm në Kapshticë kur radha arriti në 5 deri 6 km deri në arritjen e një marrëveshjen të palës shqiptare me palën greke, e cila i shtoi sportelet dhe përshpejtoi veprimet me dokumentet.

Situata ishte mjaft e vështirë për shkak edhe të uljes së temperaturave, përveç lodhjes.

Në fakt, masat janë marrë gjithmonë kur situata ka arritur kulmin, kur emigrantët janë tepër të lodhur dhe të nervozuar. Dje kishte nga qytete të ndryshme për të kaluar në pikën e kalimit kufirit të Kapshticës, pasi sot ata duhej të paraqiteshin në punë./syri/