Janar 10, 2023 10:34 Europe/Tirane
  • 500 mijë € mbeten pa pronar/ Prokuroria nuk sqaron kujt i përkasin

500 mijë euro të vjedhura nga sanitarja Rozeta Dobi dhe i biri Havier Dobi mbeten pa pronar.

etë 49-vjeçarja deklaroi se paratë i vodhi nga kasaforta në shtëpinë e Alda Klosit, ish-shefes së kabinetit të Arben Ahmetajt, por kjo e fundit ka raportuar vetëm për vjedhjen e afro 150 mijë eurove dhe sendeve me vlerë. Nga ana tjetër, në dosjen e prokurorisë, mungojnë të dhëna që të sqarojnë se kujt i përket shuma tjetër dhe nëse është bërë ndonjë kallëzim.

Shuma prej 404 mijë e 800 eurosh, 8.500 dollarësh dhe disa bizhuteri me vlerë, të gjetura në një tub aspirimi, në banesën e Rozeta e Havier Dobit, mbeten pa pronar. Në dosjen e prokurorisë, përmendet me detaje ajo çfarë ka pretenduar Alda Klosi, zyrtare e lartë e qeverisë, ish-shefe kabineti në ministrinë që drejtohej nga Arben Ahmetaj, mbi shumat e vjedhura, e konkretisht, 58.150 euro, 7.000 dollarë dhe 368.000 lekë të rinj. Po ashtu edhe disa sende me vlerë të shtrenjtë.

 

Në dosjen e prokurorisë nuk theksohet përkatësia e këtyre parave apo kallëzime të tjera që mund të jenë bërë në lidhje me këto vlera, ndërsa në një reagim të shkurtër publik, organi i akuzës së Tiranës citon se dyshohen që iu përkasin edhe personave të tjerë ku Rozeta Dobi ka punuar si pastruese, pa përmendur emra apo kallëzime.

Ajo çfarë e bën më kontradiktore përkatësinë e parave dhe sendeve me vlerë, është një fragment në dëshminë e autores së krimit, Rozeta Dobit, e cila thotë se paratë e gjetura në banesën e saj, janë marrë në banesën e Alda Klosit, por nuk sqarohet nëse bëhet fjalë për shumën e parë të tyre apo për vlerën totale prej rreth 700 mijë eurosh.

Ndërkohë, në dosjen që Syri Televizion disponon, zbardhet edhe dëshmia e vetë zyrtares e cila përmend shumat e parave që i janë vjedhur.

“Ditën e ngjarjes më janë vjedhur më shumë se 120.000 euro si dhe një shumë prej 30.000 dollarë. Këto para i kisha të xhaxhait dhe nuses së xhaxhait, i cili m’i ka lënë për të kompletuar shtëpinë e tyre dhe për nevoja të tyre pasi xhaxhanë e kam të sëmurë me kancer dhe për çdo nevojë që do të kishte, pasi djali i tyre është me probleme dhe këto lekë janë të mbledhura ndër vite nga ana e tyre pasi jetojnë në Amerikë, edhe në këtë kohë ai po kurohet në Amerikë”.

Dëshmia e Klosit vijon me përmendjen e sendeve të tjera me vlerë që janë vjedhur, përfshirë medaljone, unaza, vëthë dhe sende të tjera. Zyrtarja rrëfen para hetuesve se si u njoh me sulmin në banesën e saj, ku ndodhej dhe çfarë veprimesh ka bërë.

“Prej rreth dy muajsh kam marrë një banesë me qira te pallati 'Orion" në rrugën e “Kosovarëve". Jetoj së bashku me vajzën. Me datë 15.12.2022, rreth orës 10.08 kam dalë nga banesa, mbylla derën me çelës dhe mora makinën poshtë pallatit. Kam shkuar në një takim me dy mikeshat e mia tek OSHEE. Mbasi kam mbaruar takimin, shkova në zyrë tek Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare që ndodhet në afërsi të Gardës së Republikës. Rreth orës 14.00 më telefonoi vajza dhe më tha se dera e banesës ishte e hapur. Kam shkuar te banesa ku kam konstatuar se te dhoma e gjumit, të gjitha rrobat e dollapit kanë qenë të hedhura mbi krevat dhe në dysheme. Pas kontrollit të bërë, mungonin të gjitha bizhuteritë e shumë viteve. Dyshimet kryesore i kam tek pastruesja, e cila quhet Rozeta Dobi”.

Policia e kryeqytetit ra në gjurmët e autorëve të vjedhjes, nga dëshmia e Alda Klosit, mbajtjes nën vëzhgim të Rozeta e Havier Dobit dhe metodave pro-aktive të hetimit. Organi i akuzës po kryen verifikime mbi ligjshmërinë e parave të siguruara nga zyrtarja dhe nëse i justifikon dot ato. Nga ana tjetër, Rozeta e Havier Dobi, nënë e bir akuzohen për veprën penale “Vjedhja”, me pasoja të rënda e kryer në bashkëpunim./syri/