Janar 12, 2023 09:44 Europe/Tirane
  • Mashtrimi 1.2 mln euro u zbulua pasi Thana nuk paguante dot kredinë

Prokuroria e Tiranës e akuzon Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Financave, Arlind Gjokutaj dhe dy persona të tjerë për krijimin e një skeme vjedhje nga buxheti i shtetit të 1.2 milion eurove përmes dëmshpërblimit të një pronari të rremë, i cili ishte paguar edhe në vitin 2015

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Arlind Gjokutaj, drejtori i shërbimeve mbështetëse në këtë institucion, Fatmir Hoxha dhe përmbaruesi gjyqësor privat, Alban Ruli u arrestuan me urdhër të gjykatës të mërkurën, nën akuzën e krijimit të një skeme për të vjedhur nga buxheti i shtetit një vlerë prej 145.8 milionë lekësh, që deri tani ka sjellë një dëm real në masën e 48 milionë lekëve.

 

Sipas njoftimit të prokurorisë, me kërkesë të prokurorit Ndini Tavani u caktua masa e sigurimit “arrest në burg” për Gjokutën, Hoxhën dhe Rulin, për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Sipas prokurorisë, dy zyrtarët e Ministrisë së Financave dhe përmbaruesi privat kanë pranuar të dëmshpërblejnë shtetasin Ilir Thana në vlerën e 145.8 milionë lekëve, duke e trajtuar si pronar të një objekti pa e pasur këtë status.

Thana dëmshpërblehej kësisoj për herë të dytë për një vendim gjyqësor të ekzekutuar nga Ministria e Financave edhe në vitin 2015. Nga shuma totale prej 145.8 milionë lekësh, 48 milionë lekë kanë kaluar në llogarinë e tij.

Nga hetimi ka rezultuar se Thana ka blerë në vitin 1992 për 103 mijë lekë një objekt + truall nga Drejtoria e Shërbimit Qeveritar dhe A.K e Privatizimit, por në vijim pas një procesi gjyqësor civil, Gjykata e Apelit Tiranë ka vendosur kthimin e palëve në gjendjen e mëparshme. Gjykata ka vendosur që Thanës t’i kthehet pagesa e kryer, e konvertuar me indeksin e rritjes së çmimeve në kohën e ekzekutimit të vendimit.

Nga burime të akuzës mësohet se e gjithë skema e mashtrimit është zbuluar pas verifikimit të kallëzimit të kryer nga një bankë e nivelit të dytë ndaj Thanës, i cili ishte kreditor dhe nuk shlyente detyrimin. Nga hetimet ka rezultuar se Thana e ka shitur objektin në fjalë në vitin 2005 tek një shtetas tjetër, kur me vendimin e Gjykatës së Apelit Tiranë të vitit 2000 ishte zhveshur nga pronësia.

Në shkurt të vitit 2015, Ministria e Financave dhe e Ekonomisë, ka ekzekutuar vendimin e formës së prerë për shpërblimin e Thanës, duke i paguar atij vlerën 284 mijë lekë, sipas indeksit të rritjes së çmimit.

Megjithatë, ai nuk është mjaftuar me kaq, por ka kërkuar të shpërblehet në cilësinë e ish-pronarit të magazinës dhe truallit, megjithëse nuk e ka pasur asnjëherë këtë status. Ai i është drejtuar në vijim një zyre përmbarimore, e cila e ka vlerësuar magazinën në vlerën rreth 70 milionë lekë, por pa arritur ta realizojë ekzekutimin. Edhe një tjetër përmbarues gjyqësor që ka kryer vlerësimin e objektit në masën 82 milionë lekë nuk ka mundur ta ekzekutojë, ndërsa përmbaruesi i tretë e ka vlerësuar atë 145.8 milionë lekë dhe ka filluar ekzekutimin e kësaj vlere në favor të Thanës, në cilësinë e ish-pronarit të pasurive.

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Arlind Gjokutaj ka mbajtur më parë funksione të larta në administratën shtetërore, si drejtor i Doganave apo i Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave.

Gjokuta akuzohet se ka nënshkruar urdhrin e xhirimit të vlerës së kërkuar nga përmbaruesi i tretë, ndonëse një zyrtare e ministrisë e kishte informuar përmes një memoje se vendimi i Apelit në favor të Thanës ishte ekzekutuar në vitin 2015 dhe se ai nuk mund të paguhej me 145.8 milionë lekë të tjera.

Pak ditë më vonë, kjo nëpunëse mësohet se është dorëhequr nga detyra, ndërkohë që në tavolinën e Gjokutës ka mbërritur një memo e dytë, e nënshkruar nga drejtori i shërbimeve, Fatmir Hoxha, i cili ndryshe nga kolegia, kërkonte pagesën e vlerës 145.8 milionë lekë në favor të Thanës. Kanë qenë këto memo provat që kanë vënë nën akuzë Gjokutën dhe Hoxhën.

Në njoftimin e prokurorisë evidentohet se vlera e përcaktuar për t’iu dhënë Thanës në vitin 2022 si shpërblim për magazinën dhe truallin, duke e trajtuar atë si ish pronar ndërkohë që nuk e ka pasur asnjëherë një status të tillë, cenon buxhetin e shtetit në rreth 1.2 milionë euro.

Nga verifikimet e kryera nga organi i akuzës, ka rezultuar se Ministria e Financave ka kaluar në favor të Ilir Thanës vlerën 48 milionë lekë. Nga kjo vlerë, 25 milionë lekë janë kaluar në favor të shtetases Sh.P., që sipas burimeve të prokurorisë është familjare e Thanës.

“Organi procedues konstaton dhe çmon se ka dyshime se veprimet e përmbaruesit, të Ministrisë së Financave dhe persona të tjerë, kanë shpërdoruar detyrën duke vjedhur nga Buxheti i Shtetit deri në këtë fazë shumën 48.118.366 lekë dhe tentuar për të vjedhur pjesën e mbetur,” citohet në njoftimin e Prokurorisë së Përgjithshme.

Prokuroria ka urdhëruar sekuestrimin e shumës që i është kaluar Thanës, prej nga është arritur të gjenden dhe sekuestrohen 22 milionë lekë.

Ilir Thana u arrestua në dhjetor të vitit të shkuar, i akuzuar për veprën penale të përvetësimit të pasurisë publike nëpërmjet paraqitjes së fakteve të rreme dhe pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës./syri/