Pritja me trupin diplomatik/ Begaj krahason Serbinë me Rusinë: Kërcënon Kosovën
Presidenca zhvilloi sot në mbrëmje ceremoninë e pritjes së trupit diplomatik në Shqipëri. Kreu i Shtretit, Bajram Begaj e nisi fjalën e tij me luftën në Ukrainë dhe pasojat e saj në të gjithë botën, duke kaluar më pas në tensionet në rajon.
Begaj tha se Shqipëria është faktor stabiliteti në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Presidenti preku edhe tensionet e fundit në Kosovë, duke shprehur shqetësimin e ndërhyrjes së Serbisë.
Sipas Begajt, vendosja e barrikadave në veri të Kosovës dhe provokimet e Serbisë kanë një logjikë agresioni të ngjashëm me luftën në Ukrainë nga Rusia.
Një qëndrim ky krejt ndryshe nga ai i kryeministrit Edi Rama që nuk e sheh Serbinë dhe presidentin e saj Aleksandar Vuçiç si rrezik për Kosovën.
“Si President i Shqipërisë, dua të flas në emër të qytetarëve të vendit tim, e shpreh bindjen kombëtare në paqe, dialog, demokraci, shtetin e së drejtës e vlerat ballkanike e europiane. Në këtë kuptim, shqiptarët do të mbeten faktor paqeje në Ballkan dhe promovues të imazhit të një Ballkani pasional, por jo konfliktual.
E ndërsa flasim për konflikt, nuk kam ndërmend të kaloj heshturazi mbi rrezikun që i kanosej Ballkanit deri para pak ditësh, prej provokimeve me barrikada në veri të Kosovës. Nuk mund të them nëse provokimi me barrikada të vendosura nga elementë me të shkuar kriminale dhe tentativa për ndërhyrje aktive në territorin e Kosovës nga ana e Serbisë, ka të bëjë me një logjikë agresioni të ngjashëm me skenarin në Ukrainë”, tha Begaj ndër të tjera./syri/