Rama flet me admirim për Soros dhe Erdogan, mbron presidentin Vuçiç
Marrëdhëniet e ngushta të kryeministrit Rama me multimiliarderin amerikan George Soros dhe djalin e tij Alexander, janë tashmë të njohura jo vetëm në Shqipëri dhe në rajon, por thuajse në të gjithë botën.
Në një intervistë për televizionin malazez “A Plus”, Rama teksa ka folur për miqësinë e tij me Soros dhe presidentin turk Recep Tayyip Erdogan e ka quajtur një ‘duel në shkallë botërore’.
"Unë jam, për shembull, një mik shumë i mirë me George Soros dhe Recep Tayyip Erdogan. Ju e dini. Dhe ky është një nivel më i lartë konflikti. Le të themi gjithashtu, një duel në shkallë botërore”, ka thënë Rama.
Rama foli edhe për problemin e Kosovës, marrëveshjen e propozuar franko-gjermane mes Beogradit dhe Prishtinës, marrëdhëniet e tij me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për të cilin nuk hezitoi të bëjë ‘avokatin’ si gjithmonë.
“E ndoqa deklaratën e fundit të presidentit Vuçiç nga Davos dhe mendoj se ishte mjaft e respektueshme duke pasur parasysh mënyrën se si ai shprehu nevojën për të ecur përpara. Sigurisht, në mënyrën e tij karakteristike shumë të veçantë të komunikimit, por ai tregoi respekt”, komentoi Rama.
Teksa ka folur për pozicionin e Serbisë ndaj sanksioneve që Perëndimi i ka vendosur Moskës, Rama ka vënë në dukje merakun e tij për Vuçiç, duke u shprehur se presioni ndaj Serbisë mund t’i kushtojë shumë ekonomisë.
“E dini, për shembull, unë gjithmonë, kudo që ka pasur një diskutim për këtë në takime ndërkombëtare ose gjatë intervistave, kam thënë qartë se presioni ndaj Serbisë për të vendosur sanksione ndaj Rusisë është shumë herët dhe se këmbëngulja e tepërt në këtë drejtim mund të bëhet shkak për probleme të mëdha, sepse mund ta tjetërsojë Serbinë, sepse, objektivisht, Serbia nuk është në gjendje të marrë frymë ekonomikisht për gazin dhe energjinë pa kontrata ruse. Kështu që unë e shikoj atë. Për shkak të kësaj, ndonjëherë, e dini, unë konsiderohem lehtësisht tradhtar. Por nuk mendoj se jam tradhtar”, ka thënë Rama./syri/