I vihet bombë hotel 'Bizantit', rrafshohet godina!
Një ngjarje e rëndë që i ngjan një atentati ka tronditur qytetin e Sarandës, ku është rrafshuar me tritol një prej hoteleve më të vjetra. Bëhet fjalë për hotel ‘Bizanti’ që ka 2 ortakë, Spiro Çabirin dhe Dhimitër Evangjeliu që janë në proces gjyqësor me njëri-tjetrin për pronësinë që prej vitit 2002. Nuk dihet ende kush e ka vënë sasinë e madhe të lëndës eksplozive në orën 05:55.
Godina 2 katëshe është rrafshuar plotësisht duke shkaktuar dëme të mëdha të fasadave të objekteve deri në 300 metër larg hotelit që ndodhen në zemër të qytetit. Banorët shprehen të tmerruar nga shpërthimi dhe e cilësojnë si "akt terrorist" ndërsa nga pamjet e siguruara nga Report Tv duken qartë copat e xhamit edhe në rrugë.
Gazetari i Report Tv në Sarandë Limos Didani bën me dije se hoteli rreth 2 katësh që ishte ndërtuar që prej vitit 1996 ndodhej buzë detit dhe në momentin kur ndodhi shpërthimi, mësohet se nuk ka qenë funksional. Hoteli funksiononte vetëm gjatë muajve të verës kur kishte fluks turistik.
Nga shpërthimi nuk ka asnjë person të lënduar. Shërbimet e policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe vijojnë kontrollet në zonë për kapjen e autorit/ve. Menjëherë është ngritur një grupi i posaçëm hetimor me ekspertë më të mirë të DVP Vlorë dhe nga Departamenti i Policisë Kriminale dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e ngjarjes./shqiptarja/