Shkurt 16, 2023 08:36 Europe/Tirane
  • Aksident në Tiranë, përplasen makina e policisë dhe një BMW, dy të plagosur

Dy persona janë plagosur mëngjesin e sotëm në Tiranë, pak pas orës 5, pasi një makinë e Policisë dhe një automjet BMW janë përplasur tek ura pranë shkollës ‘Vasil Shanto” në Tiranë, në kryqëzimin e rrugës “Muhamet Gjollesha” me bulevardin “Gjergj Fishta”.

Të plagosur kanë mbetur drejtuesit e të dy automjeteve, inspektori i policisë, J.B 22 vjeç që ndodhej në “Skodan” e Komisariatit nr. 2 dhe shoferi i BMW, G.N, 38 vjeç, të cilët janë dërguar në spitalin e Traumës për kontroll, por pa rrezik për jetën. Policia tha se asnjeri prej tyre nuk rezultonte të kishte pirë alkool. 

Automjeti BMW kishte marrë dëmtime të shumta dhe mbetje të saj ishin shpërndarë kudo, pasi ishte përplasur edhe me një shtyllë trafikut rrugor.

Në njoftimin zyrtar të Policisë thuhet:

“Rreth orës 05:15, te ura e “Vasil Shantos”, janë përplasur dy automjete, konkretisht automjeti tip “Skoda” i Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr. 2 me drejtues Inspektor B. M., 31 vjeç, dhe automjeti tip “BMW” me drejtues shtetasin N. B., 36 vjeç.

Si pasojë e përplasjes janë dëmtuar dy drejtuesit e automjeteve, si dhe pasagjerët, shtetasi G. N., 38 vjeç, që ndodhej në automjetin tip “BMW” dhe punonjësi i Patrullës së Përgjithshme Inspektor J. B., 22 vjeç, që ndodhej në automjetin tip “Skoda”.

Të dëmtuarit ndodhen në spitalin e Traumës, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Të dy drejtuesve të mjeteve, iu është bërë testi i alkoolit, dhe ka rezultuar që asnjëri prej tyre, nuk kishte konsumuar pije alkoolike.”/syri/