Shkurt 23, 2023 08:41 Europe/Tirane
  • 'Ky Krim-ministër bllokon Kuvendin, s'lejon komision hetimor!

Fjala e plotë e Kryetarit të PD, Sali Berisha, në mbledhjen e djeshme të Grupit Parlamentar.

Të nderuar deputetë!

Nesër (23 shkurt) është përsëri një seancë e parlamentit në të cilën siç duket pseudoshumica e skandaleve, e vjedhjeve, vazhdon bllokimin e parlamentit dhe asgjësimit, shkelmimin e të drejtave të opozitës.

I ngërthyer dhe i pashpresë në Ramagate, apo Uotërgejtin e shekullit të 21, Edi Rama ka vendosur që ta kapërcejë këtë skandal duke paralizuar hetimin parlamentar, të drejtat e deputetëve, të drejtën e fjalës.

Edhe njëherë, dua t’ju bëj të qartë të gjithë qytetarëve shqiptarë, se në këtë çështje, në këtë skandal, janë dëmtuar interesat e mbarë shqiptarëve, sepse afera RamaMcGonigal ishte një levë Arkimedi për fitoren e paligjshme, konsolidimin në pushtetin e Edi Ramës e bazuar në krimin, drogën dhe vjedhjen.

Shqiptarët janë dëshmitarë për të gjithë mbështetjen e jashtëzakonshme që iu dha Edi Ramës, pavarësisht nga dhunimi i zgjedhjeve, nga shndërrimi i vendit në protektorat krimi, nga vjedhjet e shfrenuara të fondeve, buxhetit, pasurive publike të shqiptarëve. Nuk ka dyshim se prapa kësaj mbështetjeje qendronte edhe dora e zezë e Charles McGonigal, i cili i paguar nga Edi Rama nëpërmjet Dorian Duçkës, këshilltarit të tij personal, i cili i dha 225 mijë dollarë në garazhet dhe banesën e Agron Nezës, bëri gjithçka sipas një skenari supermafioz, duke tradhëtuar vendin e tij, betimin ndaj ligjit dhe Kushtetutës, besimin e Presidentit të SHBA dhe Kongresit amerikan ndaj tij, dhe u mor me shkatërrimin e opozitës shqiptare me qëllimin e vetëm që pagatori i tij të vazhdonte të qendronte në pushtet dhe ta paguante më tej.

McGonigal është në burg, por edhe krimi i tij është i shëmtuar, por për Shqipërinë, më i shëmtuar dhe më i rëndë është krimi i Edi Ramës. Kryeministër që paguan vrasje me pagesë kundër pluralizmit dhe opozitës së vendit të tij.

Ky nuk është kryeministër. Ky është krim-ministër! Dhe ky krim-ministër për t’u fshehur pas gishtit, bllokon dhe paralizon parlamentin. Nuk lejon Komisionin Hetimor Parlamentar. Nuk pranon interpelancën, refuzon pyetjet që deputetët e opozitës për të tretën javë kanë kërkuar seancën e pyetjeve siç u takon më Kushtetutë, me ligj, me rregullore.

Veprimtaria e njohur publike e Ramagate është vetëm maja e ajsbergut. E vërteta është se në thellësinë e saj ka krime të shumëllojshme. Dorian Duçka, këshilltari personal privat i Edi Ramës, në emër të Edi Ramës, bashkë me mafiozin Agron Neza, që iu paraqitej viktimave të veta si oficer i FBI-së kalonin nga klubi në klub, nga restoranti në restorant, duke gjuajtur ku gjenin biznesmenë, për t’i terrorizuar se jeni në lista dhe se duhet të merremi bashkë tani, për të zgjidhur problemet, përndryshe, blacklist-imi është i sigurt për ju.

Kjo veprimtari, të dashur miq, datën e fundit të saj që di unë, është 20 maj e vitit 2022. Po kjo nuk do të thotë se pas majit nuk ka vazhduar ky gjah i turpshëm mafioz. Kjo është një ngjarje që nuk mund të kapërcehet kurrë.

Studentët e Ekuadorit u derdhën në rrugë, vetëm se një ministër i tyre doli i lidhur me dy mafiozë shqiptarë dhe kërkojnë rrëzimin e qeverisë. A mundet ne të pranojmë që nuk bëhet fjalë për dy mafiozë dosido, por për një krim-ministër i cili porosit asgjësimin e opozitës te vrasës me pagesë të kryezbuluesit të FBI.

Dosja shqiptare e Rama-McGonigal, po bëhet gjithnjë e më e rëndë. E vërteta është se menaxher direkt kryesor i saj është Edi Rama, për aq sa Duçka me pasaportë diplomatike dhe adresë qeveritare, ishte këshilltari personal i Edi Ramës. Për aq sa Duçka transportonte nga Europa, thuhet në dokumente, në SHBA dëshmitarë të rremë apo të  vërtetë që do të dëshmonin kundër opozitës nën hetimin privat që McGonigal kishte urdhëruar. Për aq sa McGonigal për llogari të Edi Ramës, të miqve të ngushtë të Edi Ramës, arrinte të angazhonte prokurorë nga Minstria e Drejtësisë e SHBA i silltë në Vjenë, por ndërkohë Rama urdhëronte, Etilda Gjonin, Ministren e Drejtësisë që të ishte pjesë e këtij ansambli në Vjenë.

Kishte histori më të trupshme se kjo?

Prandaj, Rama tmerr nga hetimi. Prandaj gënjen dhe vetëm gënjen kur thotë s’ka qenë. I them unë se ka qenë dhe ka qenë dhe me asgjë nuk e fsheh dot këtë, se ky është vetëm një nga elementët.

Në një nga artikujt e një prej ish-oficerëve të CIA-s shkruhet se: gjobat shkojnë në mbi 30 milionë. Natyrisht nuk mund të thuhet se McGonigal, i mori të gjitha këto, por i ndau dhe me të tjerë. Sa mori Duçka dhe Rama? Sa mori Neza? Sa mori Olsi? Këto nuk i di kush. Këto duan hetim dhe vetëm hetim.

Habia shumë e madhe është se çfarë i shurdhoi dhe i verboi nga 2017-a deri në maj, që është data e fundit që di unë, sytë dhe veshët në Tiranë, të atyre që kishin për detyrë ta zbulonin, të informonin, ta denonconin.

Kjo duhet të jetë objekt i një hetimi të thellë.

Çfarë e shtynte zonjën Yuri Kim të bëhet ndjekëse e Dorian Duçkës, këtij mafiozi ndërkombëtar të rrezikshëm. Unë mendoj se ajo duhet ta shpjegojë këtë, pavarësisht se ka një komision hetimor, por sikundër Neza që u thoshte se jam oficer i FBI, edhe Duçka u tregonte folloursat e vet, për të rritur kredencialet.

A ka implikim, a ka lidhje, lista që Lulzim Basha dorëzoi për biznesmenët që gjoja mbështesnin foltoren, se absolutisht asnjë prej tyre nuk kishte dhënë asnjë qindarkë, dhe pastaj thirrja e tyre një nga një nga zonja Kim.

A ishte kjo një praktikë për t’i çuar drejt grupit gjobëvënës? Kjo do hetim.

Ndaj i bëj thirrje inspektorit të përgjithshëm të DASH, komisionit të Kongresit të SHBA dhe vetë FBI-së të hetojë me hollësi këto akte dhe veprime.

Një gjë është e sigurt, që McGonigal, Mark Rossini, Agron Neza, Dorian Duçka nuk operuan në ishullin e Robinson Kruzosë. Jo, mo jo. Ata ishin në një vend ku kryqëzohen shumë rryma e shërbime, etj, etj..

Si ndodhi të vazhdojë veprimtaria e paturbuar për 5 vite me radhë?

Me ç’mënyrë mbyllën veshët e atyre që duhet t’i shihnin?

Thonë që Helidoni është viktimë se i pa. Ai duhet të flasë dhe të deponojë. Po të dojë edhe në Kongresin amerikan të shkojë të ndihmojë. Nëse është kjo, ai meriton një vlerësim. Nëse nuk është kjo, prapë mbetet enigmë. U kry një veprimtari nga më mizoret.

Nuk e bëri Dennaro këtë, me dennarot e tij këtu. Jo mo këtë e bëri kryeministri i Shqipërisë, e bëri kryezbuluesi i FBI, kjo tejkalon edhe imagjinatën hollividuane.

Edi Rama kërkon t’i shpëtojë kësaj, por nuk mund t’i shpëtojë kësaj kurrë. Prapa diellit të shkojë, ai do u thotë shqiptarëve gjithçka për këtë.Merrte në mbrojte McGonigalin kur thoshte: hante mish e pilaf se ashtu ishte puna e FBI. Puna e FBI për të këputur gjobat dhe mbush xhepat e veta, të Edi Ramës dhe enturazhit të tij.

I bëj thirrje Parlamentit Europian dhe Këshillit të Europës të ndërhyjnë me urgjencë, të krijojnë komisione hetimore. Kjo sepse Duçka ka paguar, ka marrë peng edhe zyrtarë të lartë në vendet evropiane. Prandaj edhe Parlamenti Europian ka shumë interes ndërmarrë një hetim të plotë se çfarë solli kjo. Kjo solli përdorimin e korrupsionit ndërkombëtar për të goditur antikorrupsionin në Shqipëri, për të shkatërruar opozitën, për t’i mbyllur gojën asaj se ajo këtë gjë bënte.

Denonconte aferat korruptive, s’bënte asgjë tjetër! S’kishte ndonjë fuqi tjetër ajo. Denoncim krimi, denoncim korrupsioni. Por ajo duhej asgjësuar.

Janë pra të gjitha këto nismat tona të dashur qytetare dhe qytetarë.

Ndaj dhe nesër (23 shkurt) u bëj thirrje qytetarëve të që protestojmë me fuqinë më të madhe përpara parlamentit. Ky është parlament i krimit. Ky është parlament që fsheh krimin makabër. Sikundër deputetët tanë do të bëjnë një përpjekje të jashtëzakonshme për arritjen e qëllimeve të tyre.

Para Europës dhe botës ka një parlament të vetëm që ka përjashtuar brenda tri javëve vetëm 23 deputetë, vetëm e vetëm që Edi Rama të mos hetohet për krimin që ka kryer, për aktin e korurptimit e zbuluesit kryesor të vendit partner dhe mik të Shqipërisë.

Dorian Duçka është i implikuar në afera të spektrit më të gjerë.

Ka SPAK, ka drejtësi këtu, ka hetim?! Nuk ekzistojnë!

Kur deklarova në fillim që McGonigal ka takuar dhe ka drekuar me eksponentë të SPAK, bënë një seri deklaratash që nuk është e vërtetë.

Na thoni pak. Çfarë është e vërtetë? Që Duçka, McGonigal dhe Neza kanë vendosur gjoba milionëshe? Nuk është e vërtetë që ka ndërhyrë në vetting e në të gjitha proceset?

Ka një të vërtetë tjetër që jeni vegla të partisë  në shtet. Nuk jeni SPAK, por SKAP. Më mirë mbylleni të paktën gojën, mos përgënjeshtroni, se çdo ditë që kalon turpëroheni edhe më shumë. Shkoni pak nëpër restorante dhe pyesni pak pronarët e restorantëve çfarë do ju thonë për gjobvënësit? Do ju thonë që më shumë fitonin gjibvënësit, sesa xhiroja e restoranteve ku uleshin ata. Me një seancë nga viktimat e tyre. Çfarë do t’u thonë? Por s’munden.

Por kush e di edhe këta, njëlloj si paratë e inceneratorëve i kanë bukosur paratë e gjobave të këtij grupi mafioz shtetëror."

Nesër ne vazhdojmë betejën tonë, ne informojmë qytetarët se janë 40 nisma legjislative të deputetëve të opozitës, të cilat Linda e parlamentit i ndryn në sirtar me urdhër të Edit të qeverisë. Ky është asgjësimi de facto i fuqisë ligjbërëse të opozitës. Një nga ligjet më të rëndësishme që kemi dërguar prej muajsh është ligji i Lustracionit, por këtë ligj, i cili është i standardeve ndërkombëtare më të mira, Edi Rama dhe Taulant Balla duan ta zëvendësojnë me një amendament për gjah shtrigash në Kodin Elektoral.

Në kombinim apo jo me Alibashën, nuk e di, por ai që nisi si amendament i Alibashës, përfundoi si amendament i Taulant Ballës. Dhe Linda e parlamentit ia plasi në sy është i Ballës dhe ky po i plotëson ato kërkesat tuaja. Nuk e di a është i implikuar në këtë amendament apo jo Alibasha.

Por kjo është histori turpi. Një shtet serioz, një proces serioz siç është lustracioni, e bazon në ligj të veçantë, siç e kanë bazuar të gjitha vendet ish-komuniste që kanë pranuar procesin e lustracionit. Ai nuk mund të përdoret për gjah siç po përdoret nga Edi Rama.

Në nenin respektiv të këtij ligji, parashikohet humbja e të drejtës për kandidim në organet e zgjedhura, ku humbja e të drejtës për kandidim në postet e rëndësishme për të gjithë informantët, bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit, për të gjithë oficerët, agjentët dhe për nomenklaturën e kuqe në një nivel të caktuar dhe më lartë. Ky është ligj që u përdor nga të gjitha vendet që iu nënshtruan lustracionit, është ligj që ne e paraqitëm për të tretën herë. E keni votuar në vitin 1996, 2008 dhe Edi Rama e rrëzoi me gjykatën në konflikt flagrant interesi. E kemi dorëzuar dhe tani dhe ne i qendrojmë plotësisht.

Janë ligje tjera të një rëndësie shumë të madhe të cilat nuk vijnë në parlament në kundërshti me ligjin, Kushtetutën dhe çdo akt tjetër.

Prandaj të dashur qytetare dhe qytetarë, nesër në ora 10, duhet të jemi të gjithë para parlamentit për të bërë që zëri ynë të dëgjohet, që revolucioni të vazhdojë fuqishëm deri në fitoren e tij.

Faleminderit shumë!/syri/