Vitin tjetër profesionet e lira të paguajnë deri 23% tatim
Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka gati draftin e ri të ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”.
Projektligji i rishikuar mban të pandryshuar zbatimin e tatimit progresiv te profesionet e lira në normat 15 deri 23% që nis zbatimin nga 1 janari 2024.
Kjo është hera e katërt që drafti rishikohet. Kontabilisti Sotiraq Dhamo pohoi për Monitor se drafti i rishikuar s’ka bërë ndryshime për profesionet e lira nga varianti që është diskutuar në dhjetor 2022.
Dhamo tha më herët se drafti prek profesionet e lira që do të paguajnë tatim nga 15 deri 23%, duke nxitur informalitetin për shkak të diferencimit të tatimit. Zbatimi i ligjit sipas tij rrezikon të kthehet në bumerang edhe për biznesin e vogël.
Projektligji i rishikuar sërish parashikon se të ardhurat neto (fitimi) nga biznesi për individët tregtarë dhe të vetëpunësuarit do të tatohen me normat progresive 15 deri 23%. Do të tatohen 15% për qarkullim vjetor deri në 14 milionë lekë. Ndërsa për subjektet me xhiro mbi 14 milionë lekë norma e tatimit do të jetë 23%.
Afati
Ligji parashikon hyrjen në fuqi për të vetëpunësuarit dhe entittet në janar të vitit 2024. Ndërsa për individët tregtarë me të ardhura bruto deri 14 milionë lekë në vit, norma e tatimit mbi të ardhurat 0% do të aplikohet deri më 31 dhjetor 2029.
Sërish edhe në draftin e rishikuar parashikohet se individët tregtarë dhe të vetëpunësuarit do të tatohen mbi të ardhurat nga biznesi, pasi tu njihen shpenzimet nga 30% deri në 90%, sipas llojit të biznesit.
Nëse qarkullimi i individit tregtar ose të vetëpunësuar nuk i kalon 10 milionë lekë në vit, ai ka të drejtë që nga të ardhurat e biznesit, të zbresë shpenzimet e supozuara në një shumë të vetme si më poshtë, pa mbajtur regjistrime në kontabilitet, si: 60% të të ardhurave për veprimtaritë prodhuese; 90% të të ardhurave për veprimtaritë e tregtimit me shumicë; 70% të të ardhurave për veprimtaritë e tregtimit me pakicë të mallrave dhe transportit individual; 60% të të ardhurave për veprimtaritë bare, restorante, disko etj, të kësaj natyre; 50% të të ardhurave për veprimtaritë e shërbimeve, veprimtarite artizanale dhe atyre zejtare; 30% të të ardhurave për individët e vetëpunësuar.
Tek shpenzimet e zbritshme përveç pranimit apriori të tyre, përfshihet edhe përllogaritja e shpenzimeve të zbritshme bazuar në dokumentacionin dhe faturat respektive për çdo shpenzim. Personat fizik, individ tregtar apo individ i vetëpunësuar sipas pikës 1 të këtij neni zgjedhin dhe deklarojnë pranë administratës tatimore, metodën të cilën do të zgjedhin. Kalimi nga një metodë në tjetrën nuk mund të bëhet më shpesh se një herë në 5 vjet.
Neni 10
E ardhura e tatueshme
Të ardhurat e mëposhtme konsiderohen si të ardhura të tatueshme të një tatimpaguesi të tatimit mbi të ardhurat personale:
a) Të ardhura nga punësimi;
b) Të ardhura nga biznesi;
c) Të ardhura nga investimet.
Të ardhurat janë të tatueshme pavarësisht nëse paguhen në të holla ose në natyrë.
Të ardhurat në natyrë vlerësohen me vlerën e tregut, për aq sa nuk përcaktohet ndryshe në këtë ligj ose aktet nënligjore të nxjerra në zbatim të tij.
Parimi i tregut, siç përcaktohet në nenin 44, të këtij ligji, zbatohet për transaksionet ndërmjet palëve të lidhura./syri