Gjoba për News24, BIRN: Nga inspektimet s’u gjet asnjë shkelje
Ndonëse inspektorët tatimorë të Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave dënuan me gjoba televizionin informativ Ora News dhe Focus Media, kompaninë që ka nën pronësi televizionin News 24, me 20 milionë lekë, 173,000 euro, ky institucion nuk denjon që të japë informacione.
Pas interesimit të BIRN në lidhje me këtë çështje, DPT nuk iu përgjigj pyetjeve të dërguara me e-mail. Pas pritjes me e-mail, Birn tentoi që të komunikonte përmes telefonit me zyrën e shtypit të Drejtorisë së Tatimeve, por numri nuk ishte e arritshëm.
Duket se të njëjtin qëndrim ka pasur edhe Agjencia e Medias dhe Informimit (MIA), e cila refuzoi që t’i përgjigjet pyetjeve specifike të BIRN mbi akuzat se qeveria po shënjestron median kritike për qëndrimet e tyre kritike kundër politikave të saj. MIA i konsideroi pyetjet “të natyrës tepër teknike” dhe sugjeroi që ato t’i drejtohen Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave.
“Qeveria shqiptare tregon respektin maksimal për median dhe gazetaret, si dhe për detyrën që ata kryejnë, por njëkohësisht theksojmë se misioni i saj është zbatimi i përpiktë të ligjit, i cili është i barabartë për të gjithë dhe ky është një parim universal”, thuhet në reagimin e MIA-s përmes një përgjigje me e-mail për BIRN.
Pavarësisht pretendimeve, Birn shkruan se “Raporti i inspektimit mbi Focus Media Group deklaron se inspektimi nuk gjeti prova që të sugjeronin se kompania kishte punësuar njerëz në të zezë dhe as nuk gjeti prova për mbajtje bilancesh të dyfishta”.
REAGIMI I HYSENBELLIU GROUPZyra e shtypit e grupit të kompanive Hysenbelliu, i cila ka nën pronësi Focus Media, duke iu përgjigjur interesit të BIRN tha në një përgjigje me shkrim se kjo gjobë ishte pjesë e një fushate gjobëvënëse të zyrave të ndryshme të qeverisë me shënjestër këtë media, për shkak të qëndrimit të saj kritik ndaj qeverisë.
“Gjoba prej 20 milionë lekësh të reja që Tatimet i kanë vendosur televizionit News24 është vetëm maja e ajsbergut e një fushate 9 mujore që agjencitë qeveritare si IKMT, Drejtoria e Tatimeve dhe Doganave kanë ndërmarrë ndaj të gjitha kompanive të Hysenbelliu Group, pronar i mediave News24, BallkanWeb dhe Panorama”, deklaroi konglemerati me investime në media, ndërtim, turizëm dhe industrinë ushqimore.
“Tatimet dhe Doganat kanë ushtruar kontrolle selektive gjatë 9 muajve të fundit te Birra Tirana dhe birra Korça, ku janë vendosur rreth 6 milionë euro gjoba në këto 2 kompani,” shtoi kompania, ndërsa theksoi “se gjatë 30 viteve në veprimtari biznesi, kompanitë e Hysenbelliu group nuk janë gjobitur as me 0.1% të vlerës së këtyre gjobave të mara 9 muajt e fundit".
Hysenbelliu Group akuzoi drejtpërdrejtë kryeministrin Edi Rama si përgjegjës dhe urdhërues i gjobave.
“Është e qartë se kjo fushatë gjobash historike, me vlerë marramendëse prej mbi 17 milionë eurosh nga agjencitë qeveritare, është ndërmarrë me urdhër direkt të kryeministrit Rama, si hakmarrje ndaj linjës editoriale të mediave News24, Balkanweb dhe Panorama,” përfundoi deklarata.
Ndërkohë, të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe drejtori i informacionit në televizionin Ora News, Brahim Shima i cili tha se gjoba ishte një përpjekje tjetër për të mbyllur këtë kanal televiziv ndërsa nënvizoi që kompania ka qenë nën administrim shtetëror gjatë kohës kur supozohet se ka kryer evazion fiskal./syri/