Një mjek për bashkinë e Beratit, Zija Ismailin
Një mjek për bashkinë e Beratit, Opozita e Bashkuar prezantoi zyrtarisht mbrëmjen e djeshme kandidatin e saj Zija Ismaili. Deputeti demokrat Tomorr Alizoti: "Ndryshimi do të fillojë nga Berati". Kryetari i PL-së Berat, Petrit Sinaj:-"Jemi në momentin e duhur dhe në kohën e duhur,për të bërë ndryshimin që kërkohet nga qytetarët shqiptarë".
Opozita e bashkuar ka prezantuar zyrtarisht mbrëmjen e djeshme kandidatin për zgjedhjet vendore 2023 për bashkinë e Beratit. Do të jetë mjeku Zija Ismaili ai që do të kandidojë në garën elektorale të 14 majit. Në një sallë të mbushur plot, demokatët beratas, së bashku me përfaqësues të lartë të Partisë së Lirisë, prezantuan kandidatin e tyre, të bindur se në vend duhet një ndryshim për t’ia kthyer qeverisjen qytetarëve dhe jo pushtetarëve të korruptuar që e kanë mbajtur peng bashkinë e Beratit për vite me radhë.
Deputeti i Partisë Demokratike, Tomorr Alizoti ka theksuar se padrejtësia që i është bërë Partisë Demokratike e ka mbushur sallën plot me demokratë sepse PD-ja nuk është "vulë" por është emocion, është partia e demokratëve, partia e njerëzve të lirë.
Alizoti i ka bërë thirrje Berishës të mbledhë demokratët anembanë Shqipërisë, që ndihen të poshtëruar. Tashmë - ka thënë Alizoti - është tamam koha për revolucion për ta çuar Edi Ramën atje ku e meriton dhe ndryshimi do të fillojë nga Berati.
Kryetari i Partisë së Lirisë në Berat, Petrit Sinaj, ka deklaruar se, masiviteti në prezantimin e kandidatit të Opozitës së Bashkuar tregon se qytetarëve u ka ardhur në majë të hundës qeverisja vendore dhe ajo qendrore dhe duan sa më shpejt ta largojnë. Ne - ka thënë Sinaj - jemi në momentin e duhur dhe në kohën e duhur për të bërë ndryshimin që kërkohet nga qytetarët beratas dhe të gjithë Shqipërisë.
Kandidati i Opozitës së Bashkuar për bashkinë e Beratit, mjeku Zija Ismaili, u ka bërë thirrje demokratëve beratas të bashkohen për të sjellë ndryshimin e madh në Berat./syri/