Mars 07, 2023 07:45 Europe/Tirane
  • Veliaj në panik, nxjerr në terren patronazhistët, marrin të dhënat e qytetarëve

Patronazhistët e PS kanë zbritur sërish në terren. Partia në pushtet nuk po çlirohet dot nga "vesi" skandaloz i saj, për të grabitur votën e qytetarëve përmes shantazheve dhe presioneve.

Survejimi i qytetarëve ndodhte në shoqëritë komuniste dhe aspak në ato demokratike, por as vendi ynë nuk po çlirohet dot nga kjo sindromë. 

Dhe ata, patronazhistët kanë nisur sërish nga puna, janë në rrugë, lagje, pallate, shtëpi private, kudo ku jetojnë votues. 

Deputeti socialist, Petro Koçi ka bërë në Facebook një postim inkurajues për armatën e patronazhistëve, duke i vlerësuar për punën e tyre, të nisur tashmë nga Kombinati. 

Ai ka publikuar edhe një listë me emra të qytetarëve të cilëve u janë marrë të dhënat si numri i kartës së identitetit, adresa e banimit, numri i banesës, vendi i punës, numri i librezës së energjisë elektrike dhe ujësjellësit si dhe, preferencën politike. 

Aty jepen të dhënat e qytetarëve në Qendrën e Votimit 1878 dhe 1878/1 ku më të drejtë votë janë 1631 qytetarë e jepet preferenca partiake si dhe statusi nëse janë emigrantë apo jo. 

Pas administrimit të të dhënave private nga patria në pushtet, mbi qytetarët nis furtuna e kërcënimeve dhe shantazheve në këmbim të votës për Erion Veliajn. 

Frika nga kandidati i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, rankimi i të cilit në sondazhet e qytetarëve sa vjen dhe rritet, ka bërë që PS dhe Veliaj të bëjnë gjithçka për të rrëmbyer votën e qytetarëve përmes formave të shëmtuara dhe antiligjore.  

Mbetet për t'u parë nëse organet ligjzbatuese dhe ato të administrimit të zgjedhjeve do të dënojnë fenomenin e patronazhistëve në këto zgjedhje, pas amnistimit që iu bë në 2021./syri/