Prill 05, 2023 07:08 Europe/Tirane
  • Polici i rrugores dhunon qytetarin për parkimin e makinës

Emisioni Stop në Tv Klan trajton sonte historinë e një qytetari në Durrës i cili është dhunuar nga një polic rrugor e ky i fundit më pas ka gënjyer në kallëzimin që ka bërë përpara oficerit të policisë gjyqësore.

Ngjarja ka ndodhur në 7 Shkurt 2021 në rrugën “Mujo Ulqinaku” në Durrës, kur qytetari i quajtur Islam Kodheli ndaloi makinën në parkim dysh dhe shkoi për të blerë lule te një dyqan.

Polici rrugor, Ervis Bejdo, debatoi me të dhe më pas konflikti u pasua me përdorim të forcës ndaj qytetarit. Në ngjarje u ndodhën vjehrri e kunati i Islamit, të cilët gjithashtu u shoqëruan me forcë në polici.

“Në vitin 2021 na ka ndodhur një problem para biznesit tonë, pasi dhëndri jonë e parkoi makinën parkim dysh, hap bllokazhin dhe për të blerë një lule aty afër dyqanit tonë. Ndërkohë vjen një polic rrugor dhe del përpara makinës dhe i thotë dhëndrit hajde hiqe makinën. I thotë, erdha 1 sekond sa të marr këtë lulen dhe erdhë. Ndërkohë, dhëndri shkon. Ai i thotë hajde se ta tregoj unë lulen ty. Pastaj e përplas pas makine. Ndërkohë që pashë që situata po agravonte. Afrohem nga trotuari përballë duke parë situatën. I them leje o shefi, vendosi gjobë edhe ik shiko hallin tënd se edhe ne hallexhinj jemi. Ju a rregulloj unë qejfin juve, kam për t’ju kalbur në burg. M’u duk sikur ishte depresiv, jo një polic normal për qytetarët. Dhëndrin tonë e përplas pas makine, mundohet t’i vënë prangat, aty afrohet dhe babai im i thotë o shef të lutem leje se edhe ky hallexhi është, vendosi një gjobë minimale dhe ik shiko punën. Jo, ja u rregulloj unë qejfin ju. Pastaj kërkon përforcime, vijnë gati 5-6 makina, 20-30 policë. Në ato momente unë me babin vij afër dyqanit. Po rrinim këtu. Polici vjen me vrap, na ka kapur prej gryke dhe në momentin që do fuste babain brenda në makinë, e ka goditur me grusht”, tregon kunati.

“Jam përfshirë unë dhe në rrugë ka qenë djali im. Në këtë moment ky merr policinë. Na vijnë policat rreth 30 a 40 policë të tjerë me gjithë makina. Polici kërkonte mbrojtje duke parë që aty nuk pati asnjë gjë. As unë nuk e di se çfarë ka pretenduar”, thotë vjehrri i të dhunuarit.

Pasi u shoqëruan në Drejtorinë e Policisë së Durrësit, punonjësi i policisë rrugore bëri kallëzim të rremë para Oficerit të Policisë Gjyqësore, ku deklaroi se qytetari e kishte goditur dhe kundërshtuar.

Edhe dy kolegë të tjerë të policit të rrugores, në raportin e shërbimit, pohuan se konstatuan që Halim dhe Elson Allajbej po godisnin dhe po shtynin fizikisht kolegun e policisë rrugore.

Por fatmirësisht e gjithë ngjarja ishte filmuar nga kamerat e sigurisë së subjekteve private, por dhe një kamara amatore e kunatit të qytetarut.

Në filmim duket qartë momenti se si qytetari nuk godet për asnjë çast policin e rrugores, madje është ky i fundit që duket se bën veprime në tejkalim të kompetencave të tij dhe ushtron dhunë ndaj qytetarit.

Prokuroria e evidentoi këtë fakt në bazë të kamerave dhe e akuzoi policin e rrugores për kallëzim të rremë dhe çështjen e çoi në gjykatë. Ndërsa drejtuesi i mjetit është akuzuar për mosbindje të policit. Sipas qytetarëve, asnjë masë nuk u mor ndaj policit dhe tani çështja po zvarritet në gjykatë.

Emisioni 'Stop' depozitoi zyrtarisht një kërkesë për informacion në Gjykatën e Durrësit./syri/