Stërgjyshët e Abramoviçit dhe referencat e gabuara të qeverisë
1- "Stër-stërgjyshët" e Abramovichit
David Litvak, rabini i qytetit Porto, u arrestua nga policia portugeze në mars 2022 ndërsa banesa e zyra e tij u bastis. Zoti Litvak akuzohet për fallsifikim, shpërdorim detyre e korrupsion dhe procesi penal kundër tij vazhdon edhe sot e kësaj dite. Ajo që e bën interesant këtë rast është se i pandehuri dyshohet të ketë ndihmuar oligarkun rus Roman Abramovich, i afërt me Putinin, për të marrë shtetësine portugeze (automatikisht edhe atë të Bashkimit Europian) në shkelje të ligjit. Ajo që e bën sensacional këtë rast është se rabini kishte arritur të "provonte" se stër-stërgjyshët e ebreut rus Abramovich ishin ndër çifutët e dëbuar nga gadishulli Iberik në shek. 15 dhe mbi këtë bazë "stër-stërnipit" i ishte lëshuar pashaporta.
2- Shitja e palavdishme e shtetësisë europiane
Skemat e dhënies së shtetësisë kundrejt investimit ndryshe të quajtuara edhe "pasaportat e arta" kanë qenë të njohura por edhe të shoqëruara me probleme e skandale të shumtë; më shqetësuese ishte përfitimi i pashaportës nga persona me profil kriminal dhe me origjinë nga vende problematike. Meqë në shtetet anëtare të BE shtetësia e lëshuar e implikonte të tërë Unionin, Komisioni Europian kishte bërë thirrje e marrë masa për anullimin e këtyre skemave; në tërësi shtetet anëtare po i anullonin dhe kufizonin këto skema. Lufta në Ukrainë e rishtroi këtë si një problem akut sigurie. Kjo shpjegon edhe arrestimin e rabinit Litvak një muaj pas fillimit të agresionit rus.
3-Malta si preteksti i radhës
Në mes të marsit në Tiranë Josep Borrell, Përfaqësues i Lartë për Politikën e Jashtme i BE deklaroi se mirëpriste deklarimin se KM Rama nuk do te vijonte më tej nismën e tij për pasaportat e arta. Komisioni Europian e kishte përsëritur rregullisht kundështimin e tij që nga nëntori 2019 kur Rama deklaroi se do të ofronte pasaporta kundrejt pagesës; vitin e shkuar, pra mbas agresionit rus, Delegacioni i BE-së në Tiranë e trashi zërin për këtë çështje.
Mbasi foli Borrell-i, KM Rama sqaroi se nuk ishte tamam kështu: ai priste vendimin e Gjykatës Europiane të Drejtësisë(GjED). Nëse vendimi ishte pro pasaportave të arta ai do të bënte zgjedhjen e vet. Palë në këtë çështje para GjED ishin Komisioni Europian kundër Maltës.
4- Malta si "shembull pozitiv"
Në shtatorin e shkuar Komisioni Europian paditi Maltën në GjED pasi qeveria laburiste refuzoi t'i jepte fund skemës së pasaportave të arta megjithë skandalet e shumta; këtu përfshihen edhe video me pushtetarë duke diskutuar ndarjen e ryshfeteve nga dhënia e shtetësisë. Në fakt, laburistët maltezë qeverisën që nga viti 2013 përmes shtetkapjes, korrupsionit të lartë, pará-larjes deri tek vrasja e gazetares investigative Daphne Caruana-Galizia. Për zbardhjen e vrasjes me autorë deri në qeveri u desh trysnia e ndihma e institucioneve europiane dhe e FBI-së amerikane. Megjithëse Partia Laburiste ndryshoi disa anëtarë të qeverisë përfshi edhe shefin e saj problemet mbeten po ato. Prandaj edhe nuk duhet të na habisë ngulmimi i qeverisë për të shitur pasaporta vërtet të arta.
Jo për t'u habitur por gjithësesi për t'u shënuar është që Rama nga tërë shtetet e BE-së zgjedh të marrë si shembull pikërisht më problematikun për shtetkapje, korrupsion e kriminalitet zyrtar dhe me sjellje më antieuropiane për sa i përket shitjes së shtetësisë.
5- Malta si referencë e gabuar
Baza ligjore e padisë së Brukselit kundër Maltës nuk është fort eksplicite mesa i kam lexuar unë traktatet europiane dhe prandaj edhe vendimi gjyqësor nuk është fort i parashikueshëm. Duhet thënë edhe se në BE është praktikë rutinë që kur mosmarrëveshjet mes Komisionit dhe një shteti anëtar nuk gjejnë zgjidhje përmes negociatave atëherë palët i drejtohen GjED-së.
Por këto vendime janë detyuese vetëm për palët brenda BE-së. Ato nuk kanë ndonjë domethënie politike e ligjore për shtetet jashtë Unionit si Shqipëria; madje këto vendime gjyqësore nuk e kufizojnë Komisionin Europian në negociatat me palë të treta përfshi këtu edhe në negociatat për anëtarsim me shtetet e Ballkanit Perëndimor.
E thënë më thjesht Brukseli i thotë qeverisë së Tiranës "mos më trego Maltën se nuk është puna jote! Po deshe të hysh në BE hiq dorë nga pasaportat e arta, amnistia fiskalo-penale etj.".
Kështu Europa foli me Serbinë duke i thënë ose vër vizat për afrikanë e aziatikë që hyjnë në Serbi për të dalë azilantë në Austri ose do kthejmë vizat për shtetasit serbë. Dhe Vuçiçi u bë i arsyeshëm e i dëgjueshëm.
6- Kundër justicializimit të politikës
Me një farë lidhje me sa më lart është edhe një zhvillim apo më mirë deformim i debatit e proceseve politike tek ne që më gjerë njihet edhe si "justicializim i politikës".
Një shembull për këtë janë avokatët e çdo zullumi të qeverisë, përfshi edhe deputetë rilindistë. Kur opozita denonconte akte dukshëm abuzive e korruptive hazërxhevapi i tyre ishte "çojeni në prokurori!". Duke qenë të sigurt se po thonin realisht "çojeni në arkivë!". Dhe duke ju shmangur përgjegjësisë për të debatuar thelbin e problemit e për mbajtur qëndrim ndaj tij.
Po kështu është edhe refleksi i opozitës e shoqërisë civile për të kthyer shumë skandale në kallzime penale të depozituara në SPAK. Patjetër që aktet abuzivo-korruptive me provat e gjetura dhe arsyetimin përkatës duhen denoncuar në prokurori. Rasti i inceneratorëve nuk do të kishte avancuar pa dosjet e trasha të dorëzuara në SPAK nga opozita. Në raste të ngjashme dosje të mirë-kopsitura lipset të bëjnë të njëjtën udhë.
Por edhe nëse SPAK-u ka vullnet e kapacitet të plotë për të hetuar deri në fund çdo skandal (e dimë që nuk i ka e nuk mund t‘i ketë) do e kishte fizikisht të pamundur të hetoje cdo zullum në morinë syresh që bëhen publike.
Lipset që opozita e pjesa e shëndetshme në shoqërinë civile e median të shpjegojnë qartë e kuptueshëm për publikun natyrën e skandalit e dëmet që ai sjell. Dhe duke e motivuar që të agjitojë për ndryshim pozitiv. Kjo është tejet e vështirë në kushtet e regjimit që bllokon hapësirat e opozitës në Kuvend, blen median dhe intimidon çdo segment shoqëror kritik. Por është udha kryesore drejt restaurimit të shtetit ligjor e demokracisë./syri/