Shkodra nuk i ha rrenat e Ramës
Arroganca e pushtetit nuk do të ketë sukses. Në Shkodër jo se jo, por as në qytetet e tjera.
Edi Rama doli me premtimin se nëse fiton përballë Bardh Spahisë në Shkodër marioneta e tij, Elisa Spiropali, dhe marioneta e Elisës, Benet Beci, do të bëjë mrekulli 3D në Shkodër. A ka shqiptar që i beson këto pallavra? Apo janë thjesht pjesë e tallavasë së fushatës së Ramës.
Edi Rama i vjetëruar kundër kirurgut të ri Bardh Spahia? Një mendjemadh kundër një profesionisti të kulturuar? Një njeri i cili për dhjetë vite me radhë ka bllokuar çdo lloj investimi në Shkodër, një kryeministër i cili e ka lënë gjithë veriun e Shqipërisë të bllokuar në trafik, te ajo rruga e ngushtë e Fushëkrujës, befasisht na thotë se do të japë buxhet aq sa nuk e lejon ligji. Shkodra nuk ka nevojë për rrena. Shkodra ka nevojë për drejtësi. Taksat që paguajnë shkodranët duhet të kthehen si investime në Shkodër.
Meqenëse premtimet e Ramës janë tërësisht të palogjikshme, atëherë ai vendosi të kërcënojë qytetarët duke i prekur drejtpërdrejt te liria e votës. Nëse votoni opozitën nuk do investoj tha. A thua se i ka paratë nga xhepi i vet. Mentalitet i përçudnuar prej diktatori modern, nëse mendon dhe voton ndryshe nga lideri suprem, qytetari ndëshkohet. Harron i ziu Edvin se shkodrani e shkodrania nuk nënshtrohet as sot e as mot. Me kërcënime si këto të Ramës, në Shkodër maksimumi përfundon personazh barcaletash.
Pse nuk e tregoi veten Rama kur mori bashkitë e tjera, që të gjitha? Ja pra, e kemi rastin e Kavajës, të cilën gjithmonë e ka pas PD-ja. U lodh Rama duke thënë “ta marrim timonin” dhe “ta marrim tepsinë”. E mori gjithë timonin dhe tepsinë, e mori dhe Kavajën. A bëri diçka të mirë në Kavajë? Jo. E falimentoi. Kavaja u bë bashkë me Vorën bashkitë e para që falimentojnë zyrtarisht në historinë e Shqipërisë. Përveç atyre të dyjave, edhe dhjetë bashki të tjera i ka në prag falimentimit, nga të cilat më e madhja është Lezha. Por Lezha nuk do të falimentojë, sepse nuk ka për të fituar Rama atje, por Pashk Gjoni.
Në fushatë, Beneti i Elisës së Ramës po bën atë që bëjnë gjithmonë socialistët, nga Erion Velia e deri te Vangjush Dako. Pra po nxjerr video 3D për të mashtruar njerëzit. Po na thotë se do ta bëjë liqenin e Shkodrës me porte e me beton e me kulla, siç kanë bërë Durrësin me Velierën e shëmtuar e me uzurpimin e plazhit.
Po të kishte qenë në gjendje të bënte projekte zhvillimore për liqenin, pse nuk i kanë bërë këto deri më sot në Pogradec? Shikojeni dallimin e Ohrit nga Pogradeci. Ohri një qytet ku respektohet tradita, historia, dhe ku zhvillimi është në proporcion me natyrën, me trashëgiminë, me njerëzoren. Mungon betoni dhe kullat në Ohër. Ndërsa Pogradecin drejtuesit socialistë e kanë bërë plot gri e pluhur, beton e asfalt, njësoj siç kanë bërë me Durrësin.
Shkodra nuk do të shkojë në atë drejtim. Shkodra i ka të gjitha mundësitë, ka detin, liqenin, lumenjtë dhe malet, ka trashëgimi kulturore e arkeologjike dhe larmi të madhe.
Modeli me të cilin duhet të zhvillohet Shkodra është ai i qyteteve bregdetare italiane, kroate apo greke, pra kurrsesi me betonizim në breg të liqenit apo të detit, dhe me ruajtje të hapësirave publike e raporteve ndërtimore. Prandaj është shumë mirë që në Shkodër fiton Bardh Spahia, i cili nga njëra anë e mbron dhe e shpëton Shkodrën nga kafshimet e oligarkëve të Ramës, nga ana tjetër çon përpara një model tjetër zhvillimi.
Pa program dhe pa kandidatë, Rama e ka vendosur veten në qendër të fushatës. E din ai edhe vetë se nuk ia vlerëson askush palaçot e oborrit. Por, në posterët dhe billboardet që kanë mbushur Shqipërinë, Rama ofendon sërish me arrogancë të gjithë ata qindra mijëra shqiptarë që votojnë opozitën dhe liderët e saj. A mund të durohet kjo arrogancë përçarëse? Demokracia kërkon respekt të tjetrit, por Rama nuk arrin të respektojë dot as vartësit e tij, pa le opozitën apo popullin.
Në Shkodër arroganca nuk është valutë që blihet. As tallavaja nuk ecën në Shkodër.
Por fakti se Ramës i duhen figurat të tallavasë, tregon për dëshpërimin e tij. Ne të gjithë e dimë se po t’i kishte punët mirë, ai si snob nuk do ta ulte veten deri tek ky nivel. Fakti që përdor skema e personazhe të tilla, tregon për dëshpërimin dhe panikun, pasi ka lexuar sondazhet. Nuk mjafton spektakli me skenare të gatshme për ta fituar Shkodrën, me historitë për Benetin që ka futur dikur në punë dikë meqë e ka njohur.
Bardh Spahia ka ndihmuar si mjek, si familje mjekësh, sa e sa shkodranë për hallet e tyre shëndetësore, por nuk do të ishte fisnike që ai t’i përmendte këto. Shkodrën pa fisnikëri nuk e fiton dot askush, pavarësisht partisë. Sepse Shkodra ka qenë kryeqendra e veriut, dhe do të jetë gjithmonë ashtu siç i ka hije. Blerjet e votave, llumi, palaçot, kurrë nuk do të kenë shans për të fituar në Shkodër. Krenaria dhe shpirti i lirë shkodran do të triumfojnë dhe kësaj radhe, e Shkodra do të jetë ashtu siç i ka hije./syri/