May 19, 2023 08:19 Europe/Tirane
  • Kaos me regjistrat online, 91 shkolla kanë pajisje të amortizuara,

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi promovoi në janar regjistrin online, njohur ndryshe si SMIP (Sistemi për Menaxhimin e Infromacionit Parauniversitar).

Prezantuar si platforma që do të ndihmojë prindërit dhe  “për t’u informuar në kohë reale në mënyrë të detajuar, kudo dhe kurdo, mbi notat, mungesat, sjelljen apo aktivitetet jashtëshkollore të fëmijëve tuaj”, nuk u desh shumë kohë që të kuptohej ngërci. Bazuar në  reagimet e postuara  në platformën “Sinjalizo”,  rezulton se problematikat janë prezente jo vetëm për  prindërit, por edhe për  nxënësit. Aq më shumë për mësuesit që u njoftuan në çelje të vitit akademik dhe të gjendur pa kompjutera, janë përballur me punë të dhjetëfishtë mbasi të dhënat fillimisht nuk përpunoheshin, ose nuk ruheshin.

 “Nuk mund ta përdor fare SMIP-in sepse nuk më del asgjë në sistem”, – shkruan një mësues në dritaren ‘Forum’ të SMIP. Ankuesi ndiqet nga kolegët e tij që shkruajnë të njëjtin shqetësimin , për një platformë ku nuk shfaqen të gjitha klasat. “Përse nuk ma dalin të gjitha klasat në sistem. Vetëm disa më dalin”,- shkruajnë ata pothuajse njëzëri.Ministria e Arsimit dhe e Sportit deklaron për “Sinjalizo” se “SMIP është një databazë e të dhënave shtetërore e regjistruar tek AKSHI si bazë e të dhënave shtetërore me nr. identifikues 09-01-003, që nga viti 2015”, por ndryshe nga çfarë tregohet nga mësuesit, sipas Ministrisë së Arsimit hedhja e të dhënave të nxënësve në këtë databazë ka nisur në muajin tetor të vitit të kaluar akademik.

“Në muajin gusht 2021 referuar implementimit të  sistemit ka vijuar  trajnimi i ZVAP- ve administratorëve të shkollave dhe trajnimi i administratorëve të shkollave profesionale. Në muajin  tetor 2021 administratorët e shkollave kanë filluar me hedhjen e të dhënave”,- thuhet në përgjigjen zyrtare.

E vërteta e mësuesve

Migena Kapllani, mësuese në gjimnazin e Përgjithshëm “Konstandin Kristoforidhi” në Elbasan rrëfen  për “Sinjalizo” se “qëllimi i këtij sistemi është që prindi të jetë në dijeni të vazhdimësisë së fëmijës”, por rezulton se nuk kanë qenë  të pakta rastet ku të dhënat e hedhura nga mësuesit kanë humbur.

“Në fillim shumë mësues janë zhgënjyer kur hodhën notat dhe nuk i gjetën. Çfarë domethënë kjo? Që jemi lodhur kot?”- tregon ajo duke shtuar,-“Ky sistem ka pasur probleme në vijimësi dhe është përditësuar çdo moment pas ankesave dhe vërejtjeve të bëra në platformë”.

Problematikat në regjistrin online janë pranuar edhe nga Merita Duka, mësuese e Histori-Gjeografisë në një shkollë 9-vjeçare jopublike.

“Fillimisht, problemet më të shpeshta që hasnim ishte fshirja e temave mësimore nga sistemi dhe na duhej t’i rishkruanim nga e para”,- thekson Duka, duke shtuar se tashmë problemi haset në hedhjen e notave.

“Tani problemi që hasim është hedhja e notave nga klasa e katërt e ciklit fillor, deri te klasa e nëntë e ciklit 9-vjeçar, për shkak te punimeve që janë ende duke u bërë te faqja e SMIP”,- thotë ajo.

Online… por të amortizuar

Migena Kapllani përmend për “Sinjalizo” se blerja e një tableti personal ku do të hapte sistemin SMIP ishte vendimi i parë që mori menjëherë pasi u implementua regjistri online.

“Në vendin tonë, në shkolla kemi dhe probleme me teknologjinë. Ti nuk ke kompjutera për çdo mësues”,- pohon ajo duke shtuar se,-“Si sistem është shumë i mirë, por gjëja e parë që bëra kur u vendos ishte blerja me këste e një tableti”.

Njëherazi të kontakuar nga ‘Sinjalizo’ , Drejtoria e Përgjithshme për Arsimin Parauniversitar pranon se “Aktualisht janë 91 shkolla me pajisje kompjuterike të amortizuara, të cilat janë planifikuar të furnizohen në kohën më të shpejtë të mundshme me fondin e vendosur në dispozicion (në proces prokurimi)”.

Ekspertët : Infrastruktura është urgjente

Eksperti i arsimit, Ndriçim Mehmeti, thekson se krijimi i infrastrukturës së nevojshme për mësuesit që të plotësojnë regjistrin online brenda godinës së shkollës është domosdoshmëri.

“Ndryshimet e bëra në mes të vitit tregojnë mungesë vizioni, sjellin kaos, sjellin paqartësi dhe mësuesit nuk kanë trajnim”,- thotë Mehmeti .

Ndërkohë gjendja shfaqet ndryshe për mësuesit e shkollave jopublike, ku brenda hapësirës së punës mundësohet infratruktura për të punuar edhe me regjistrin online.

“Kemi nisur hedhjen e të dhënave që me fillimin e vitit shkollor, çfarë do të thotë se edhe koha që na duhet për të hedhur të dhënat gjatë ditës është relativisht e shkurtër”,- thotë mësuese Merita Duka, duke vazhduar,- “Kemi fatin që shkolla është e pajisur me kompjutera dhe secili nga mësuesit mund t’i shfrytëzojë për plotësimin e regjistrit online, në bazë të lëndëve përkatëse”,- përfundon ajo.

Sipas përgjigjes së Drejtorisë së Përgjithshme për Arsimin Parauniversitar për “Sinjalizo”, “numri i institucioneve arsimore me kompjutera funksionale është 1090 kundrejt 1181 institucioneve arsimore publike që kemi gjithsej”. Por në përgjigje shtohet se “për t’u ardhur në ndihmë mësuesve një pjesë e pajisjeve kompjuterike nga zyrat e drejtuesve të shkollave, janë vendosur në sallën e mësuesve, ku mund të aksesohen nga këta të fundit gjatë orëve të pushimit apo kohës së lirë që kanë brenda shkollës.”

Ndërkohë, Adelina Xhaferi, mësuese e Gjuhë-Letërsisë në shkollën 9-vjeçare të Forinës në Maqedoninë e Veriut tregon për “Sinjalizo” mënyrën se është zgjidhur kjo çështje në shtetin fqinj.

 “Të gjitha shkollat në hapësirat e shtetit tonë e kanë pajisur mësuesin me një kompjuter të vogël, i cili atij do t’i shërbejë për plotësimin e regjistrit online dhe në të njëjtën kohë do t’i vijë në ndihmë të vogël në të shpjeguarit e tij të mësimit”,- përfundon Xhaferi.

Migena kujton fare mirë frikën që e shoqëroi kur në mes të vitit shkollor 2021-2022 u njoftuan për SMIP, sistemi ku do hidheshin notat.

“Unë kisha mbyllur periudhën e parë, ishte duke u mbyllur periudha e dytë kur na u kërkua kjo gjë. Mua, sipas tyre, më duhej të hidhja të gjitha notat dhe mungesat e gjithë regjistrit, nga shtatori”,- thotë mësuesja për “Sinjalizo” duke treguar se të dhënat në platformë u hodhën në këtë vit akademik, 2022-2023.

 “Mësuesi deri dje kishte dhe një regjistër personal dhe një regjistër të klasës, që ruhet dhe depozitohet në drejtori”,- thotë Migena Kapllani, e cila shton se ndonëse është bërë e mundur heqja e e regjistrit personal të mësuesve pas ankesave të tyre, sërish ngarkesa e punës së tyre mbetet e madhe.

Ndërkohën për ekspertin e arsimit, Ndriçim Mehmeti mësuesit në Shqipëri janë të keqpaguar dhe të tejngarkuar. “Mësuesin e forcojnë tri gjëra në gjykimin tim: një pagë e mirë, kushte të mira pune, që të ketë teknologji se me gishta nuk bëhet mësimi. Tablet, projektorë, lapsa, mjete didaktike, flip-charter, që ta vënë në punë fëmijën. Gjithashtu, duhen mjedise, dhoma burimore që ne na mungojnë,”- përfundon Mehmeti për “Sinjalizo”./syri/