Berisha: Lavrov u ngrit menjëherë 'situatë alarmante në Kosovë'!
"Vuçiç e sfidon NATON-n, BE-në dhe SHBA-në duke mbajtur vendin e tij si prapavijë të agresorëve rusë...
Po ka një hipotezë në këtë rast ose një përpjekje hipotetike, që të shkëpusim Serbinë nga Rusia! Kjo është një përpjekje shumë e drejtë dhe do të ishte një arritje shumë e madhe, por sa realiste është kjo?! Sa realiste është që Serbinë e Vuçiçit, Serbinë e një ultranacionalisti në veprime dhe çdo gjë, do mund ta shkëpusësh nga Rusia?! Personalisht unë nuk besoj në këtë."
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dhënë mendimin e tij për situatën e tensionuar që është krijuar në veri të Kosovës. Ai ka analizuar qëndrimin që po mban Perëndimi ndaj Presidentit serb Aleksandër Vuçiç, ka shprehur vlerësimin e tij për Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, po njëherësh edhe një rezervë që ai ka për secilën nga palët. I ftuar në studion e Vizion Plus nga gazetarja Pranvera Borakaj, z. Berisha foli në fillim pikërisht për çështjen e Kosovës.
Borakaj: Doktor, e nisim me situatën në veri të Kosovës, e tensionuar për të cilën edhe keni reaguar. A po provokohet, a rrezikon një destabilizim të mëtejshëm?
Sali Berisha: Ajo që po zhvillohet në veri të Kosovës dëshmon në mënyrë të qartë se Aleksandër Vuçiç, i gjetur tani para një demaskimi ndërkombëtarë të paprecedentë, i shpallur si një mik i Bjellivukut (në mënyrë të faktuar për hir të së vërtetës, një vit më parë këtë e shpalli gazeta franceze Le Monde dhe pas një viti këtë shkrim, ndofta edhe më të plotësuar, e botoi gazeta më e madhe e SHBA, “Neë York Times”) dhe në “hearing” me senatorin Robert Menendez, që është kryetari i Komisionit të Jashtëm të Senatit të SHBA, zoti Chollek, i deleguari i Sekretarit të Shtetit për Ballkanin, këshilltar dhe i deleguar, pohoi se ato që ka shkruar gazeta anë të vërteta.
Pra, kemi të bëjmë me kapjen e njërit aspekt, sepse Vuçiç është i përshtatshëm me të gjitha të dhënat për Gjykatën e Hagës, por duket se është zgjedhur një mënyrë tjetër, me fakte, për marrëdhëniet me bandën që bluante njerëz të gjallë, bluante njerëz, dhe për të thënë që ky është një njeri që s’mund të jetë kurrë në karrigen e një kryetari shteti.
Vuçiç, duhet të pranojmë se ka arritur mjeshtërisht të jetë “driving force”, forcë drejtuese e politikës në Ballkan duke përdorur Kosovën, çështjen e Kosovës, dhe problemet që ka me Kosovën, duke i përdorur ato në mënyrën më absurde. Në mënyrën më absurde. Ky njeri deklaron pa asnjë gajle, pa fshehur asgjë se Serbia do të bëhet më e madhe!!! Pra, ky punon për Serbinë e Madhe dhe e deklaron këtë në Zveçan, në Zubin patok dhe në Mitrovicën e Veriut. Ky njeri, para dy muajsh, deklaron se “dëshirojnë ta shkatërrojnë shtetin tonë në Kosovë”!!! Ky njeri, para tri ditësh deklaroi se nuk do të lejojë që Kosova të bëhet indipendente. Kujt ua thotë?! Të mëdhenjve të botës që kanë njohur pavarësinë e Kosovës!!! Pra, ky nuk fsheh asgjë. Ky njeri sfidon NATON-n, BE-në dhe SHBA-në duke mbajtur vendin e tij si prapavijë të agresorëve rusë, të agresionit rus!
Të gjitha këto, ka një hipotezë në këtë rast ose një përpjekje hipotetike, që të shkëpusim Serbinë nga Rusia! Kjo është një përpjekje shumë e drejtë dhe do të ishte një arritje shumë e madhe, por sa realiste është kjo?! Sa realiste është që Serbinë e Vuçiçit, Serbinë e një ultranacionalisti në veprime dhe çdo gjë, do mund ta shkëpusësh nga Rusia?! Personalisht unë nuk besoj në këtë. Kjo nuk do të thotë që ajo s’mund të ndodhë. Por ama udhëhequr nga kjo ide që ne ta shkëpusim, ai vazhdon po njëlloj. Vazhdon po njëlloj! Po pse?! Sepse historikisht është konsideruar Rusi e Vogël dhe ky nuk do një Serbi evropiane. Ky do një Serbi, Rusi të vogël!
Këtu deri tani jemi dhe ditën e premte, trazirat ishin se u futën në zyra, tri kryetarë bashkie. Prisni! Në komunat serbe, për shkak të bojkotit që bënë kryetarët e komunave me urdhër të Vuçiçit dhe i lanë vendet bosh, qeveria e Kosovës caktoi një datë. Hyri ambasadori amerikan dhe kërkoi shtyrjen e datës. Qeveria e Kosovës e shtyu datën. Në datën e shtyrë, komuniteti ndërkombëtar ra dakord me datën e shtyrë dhe i njohur zgjedhjet me aq sa ishin. Tani ndodhi hapi tjetër. Do të çonte në përputhje me ligjin, kryetarët e komunave në zyrat e tyre dhe e pamë se çfarë ndodhi. Nuk u vra një serb ose nj shqiptar, do kishte qenë shumë keq, po nuk ndodhi ajo.
Unë mendoj se hapat që ka bërë Albin Kurti kanë qenë hapa legjitime qoftë me zgjedhjet, qoftë me përpjekjen për të ushtruar detyrën, por ama edhe këtu unë përsëri kam një rezervë të jem i hapur . Nuk mund të... Se ligji ka germën, por ka dhe frymën. Ligjin ka germën, ka dhe frymën. Vërtetë në germën e ligjit ata janë të zgjedhurit e atij komuniteti, por në frymën e ligjit ata kanë marrë 2-3% të votave ndaj unë mendoj se në këtë rast...
Shënim duhet mbajtur nga kjo, se zgjedhjet u bënë, ishin legjitime për t’u bërë, ishte një hap i duhur, të gjitha këto, por produkti i tyre në ligji pastaj është ai që pamë të premten, duhet të shkojnë të marrin detyrën në germë. Ata janë 98% që nuk votuan dhe nuk mund të pretendohet që 2-3%...
Duhet kërkuar një zgjidhje. Unë i admiroj përpjekjet e qeverisë së Kosovës për legjitimitetin për të vendosur rregullin kudo, për zgjedhjet që bënë e të gjitha, por ama në këtë rast do të thosha më e arsyeshme do të ishte që të mos lexohet vëtem germa, por edhe fryma e ligjit dhe fryma e ligjit, të themi që 2% i votuar të qeverisë 98%...Kjo stonon dhe është më mirë i bën të caktuar këta në një detyrë provizore derisa të bëhen zgjedhje të tjera që të marrin pjesë.
Por i gjithë ky është skenar Beogradi. Sot u bënë ata... ishte KFOR-i aty, janë 25 ushtarë të KFOR-it të plagosur. Njerëz me maska të forcave paramilitare serbe apo forcave kush e merr vesh se ç’janë, se maskën nuk e njeh kush.
Sergei Lavrov u ngrit menjëherë e tha “situatë alarmante në Kosovë”. Pra ka një kombinim midis Beogradit dhe Kremlinit për destabilizim të situatës! /syri/