Nëntor 21, 2023 10:22 Europe/Tirane
  • Shqipëria, në krye të grupit për në Euro 2024

Shqipëria ruan vendin e parë në grup, pasi mori një pikë në ndeshjen përballë Ishujve Faroe në Arenën Kombëtare.

Në një ndeshje të vakët dhe pa shumë raste, Shqipëria e mbyll këtë fushatë kualifikuese për Euro 2024. Një pikë që i mjafton Shqipërisë për të siguruar kreun e Grupit E me 15 pikë duke shkuar në Europianin e verës së ardhshme nga porta kryesore.

Në stadiumin e mbushur në kapacitet maksimal, mes disa ndryshimeve në formacion nga trajneri Sylvinho, lojtarët kuqezi dukeshin me mendje te festa e kualifikimit. Munguan rastet e pastra teksa për të pritur të parën goditje në kuadrat duhej të shënohej minuta e 36-të me Nedim Bajramin që tentoi nga distanca, por që u ndal nga portieri kundërshtar. Shtatë minutat shtesë të pjesës së parë ishin të tëra për Shqipërinë, por si Uzuni ashtu edhe Daku nuk mundën të finalizonin në pozicione mjaft të favorshme.

Pjesa e dytë ishte e vakët, madje ishin miqtë që patën më shumë iniciativë duke kërcënuar edhe njëherë portën e Strakoshës. Ndërkohë, në minutën e 67-të, u regjistrua një kombinim i bukur mes Dakut dhe Asanit, me këtë të fundit që provoi por u devijua nga njëri prej mbrojtësve kundërshtarë.

Deri në fund, nuk pati më raste konkrete dhe Shqipëria e mbyll me një barazim pa shkëlqim këtë fushatë eliminatore. Megjithatë, kuqezinjtë arritën një objektiv madhor si kualifikimi në Europian dhe festa e mbushi vendin me flamujt Kuq-e-Zi.

 

Tags